Plani “Pranvera 2025”, u iniciuan 11 raste për braktisje të fëmijës dhe 7 për prostitucion

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me inspektorët e MINT-it, ka realizuar një varg operacionesh në gjithë vendin, duke kontrolluar 47 lokale me muzikë live dhe 67 qendra masazhi.

Si rezultat, janë identifikuar gjithsej 631 persona, duke përfshirë 314 shtetas të huaj. Janë mbyllur 30 lokale për shkelje administrative.

Janë iniciuar 10 raste për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve, me 10 të arrestuara (5 shtetase të huaja) dhe janë identifikuar 15 fëmijë lëmoshkërkues.

Po ashtu, janë hetuar 7 raste të prostitucionit, ku janë arrestuar 14 persona, duke përfshirë shtetas nga Kolumbia, Venezuela, Brazili dhe Turqia. Të arrestuarve u është shqiptuar dënim me gjobë dhe masë dëbimi për tre vjet.

Është iniciuar edhe një rast për “Shfrytëzim të viktimave të trafikimit”, me 5 të arrestuar dhe një viktimë të strehuar në strehimore.

Operacionet janë shoqëruar edhe me sekuestrime dokumentesh dhe hetime të mëtejme në koordinim me Prokurorinë.

Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:

Policia e Kosovës shpalos rezultatet nga plani operativ "Pranvera 2025"

Prishtinë, 14 korrik 2025

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, në periudhën e ditëve të veprimit të përbashkët që janë në kuadër të planifikimeve dhe aktiviteteve të EMPACT, të organizuar nga JAD SEE, ku marrin pjesë shtetet si: Kosova, Tailanda, Vietnami, Kolumbia, Brazili, Finlanda, Gjermania, Islanda, Greqia, Sllovenia etj. si dhe përfaqësues nga EU4FAST, EUROPOL, INTERPOL dhe FRONTEX, në periudhën kohore 02.06.2025 – 07.06.2025, ka realizuar planin operativ "Pranvera 2025".

Gjatë këtij plani operativ janë zhvilluar aktivitete të ndryshme që përfshin: operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikim të fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit dhe operacione të përbashkëta me inspektorë të MINT-it, ATK-së dhe inspektorë të punës në inspektimin/kontrollimin e lokaleve (muzikë live) dhe qendrave të masazhit, po ashtu dhe plan taktik lidhur me eskorta.

Operacionet policore të realizuara në periudhën e lartcekur kanë rezultuar me ndërmarrjen e veprimeve dhe inicimin e rasteve dhe personave të përfshirë si në vijim:

Inspektimi/kontrollimi i 47 lokaleve (muzikë live) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ku janë hasur gjithsej:

• 482 persona (352 femra dhe 130 meshkuj),

• Prej tyre 204 shtetas të Kosovës,

• 278 shtetas të huaj (264 Shqipërisë, 8 Serbisë, 5 Maqedonia e Veriut, 1 Mali i Zi),

• Prej këtyre lokaleve të inspektuara 8 janë mbyllur për shkelje administrative nga inspektorët e MINT-it.

Inspektim i 67 qendrave të masazhit ku janë hasur gjithsej:

• 149 persona (114 femra dhe 35 meshkuj),

• 113 shtetas të Kosovës,

• 36 shtetas të huaj (23 të Shqipërisë, 11 të Tajlandës, 1 të Maqedonisë së Veriut, 1 i Malavisë),

• nga lokalet qendra masazhi 22 janë mbyllur për shkelje administrative nga inspektorët e MINT-it.

Në kuadër të operacioneve të realizuara ka iniciuar rastet dhe ka ndërmarrë veprimet si në vijim:

Inicimi i 10 rasteve për veprat penale "Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës", ku janë arrestuar:

• 10 femra të dyshuara

• 5 shtetase kosovare

• 5 shtetase të huaja (4 shtetase shqiptare, 1 shtetase e Maqedonisë së Veriut)

• Janë identifikuar 15 fëmijë lëmoshkërkues, prej tyre 8 kosovarë dhe 7 shtetas të huaj.

• Po ashtu janë identifikuar edhe 3 raste të tjera të kërkim lëmoshës, të cilat i janë referuar stacionit policor kompetent për kundërvajtje.

Inicimi i 7 rasteve ‘marrje me prostitucion’ të identifikuara si ESKORTA, ku janë arrestuar:

•14 të dyshuar, prej tyre 7 meshkuj kosovarë dhe femra shtetase të huaja 3 nga Kolumbia, 2 nga Venezuela, 1 nga Brazili, 1 nga Turqia dhe janë referuar për trajtim sipas ligjit për të huaj edhe 7 femra shtetase të huaja (1 shtetase e Venezuelës, 5 të Kolumbisë, 1 turke).

Të gjithë të dyshuarit të përfshirë në rastet ‘marrje me prostitucion’ janë dërguar në gjykatë, ku iu është shqiptuar dënim me gjobë si dhe është lëshuar masë plotësuese dëbim nga territori i Kosovës si dhe ndalim hyrje në Territorin e Republikës së Kosovës për tri vjet.

Të gjitha punëtoreve të hasura duke punuar në lokale të muzikës dhe qendra masazhi, u është dhënë mundësia e deklarimit nëse ndonjëra nga to është viktimë e ndonjë forme të shfrytëzimit, mirëpo nuk ka rezultuar me ndonjë rast. Gjatë këtij plani janë sekuestruar gjithsej 7 dokumente nga personat e huaj, të cilët janë referuar për verifikim dhe trajtim sipas ligjit për të huaj.

Në kuadër të aktiviteteve gjatë këtij plani operativ është iniciuar edhe një rast për veprën penale ‘shfrytëzim i viktimave të trafikimit’, ku me këtë rast janë arrestuar dhe janë intervistuar:

• 4 persona meshkuj shtetas kosovarë si të dyshuar.

Pas hetimeve operativo-hetimore është zbatuar urdhëresa e Prokurorisë Themelore në Gjilan për masa të veçanta hetimore e cila urdhëresë është zbatuar lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale "Mundësim ose detyrim në prostitucion", ku është arrestuar një person mashkull kosovar. Viktima e rastit femër kosovare është strehuar në strehimore për viktima të dhunës. /Zëri