IPK-ja rekomandon suspendimin e katër zyrtarëve policorë, në dy raste të ndara
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë në lidhje me dy raste të ndara, që po hetohen në koordinim me prokuroritë kompetente.
Sipas njoftimit, rasti i parë ka ndodhur më 13 korrik në një fshat të Ferizajt, ku një person i veshur me rroba civile, që më vonë është identifikuar si zyrtar policor jashtë detyrës, dyshohet se ka sulmuar dhe kanosur me armë një të mitur.
Personi në fjalë është vetëparaqitur në stacionin policor pas incidentit.
IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tij, ndërsa hetimet po vazhdojnë me dyshimin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
Në rastin tjetër, që dyshohet të ketë ndodhur para mesnatës më 30 qershor në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, janë të përfshirë tre zyrtarë policorë.
IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tyre për shkak të dyshimeve për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Edhe ky rast po trajtohet në procedurë të rregullt në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Sipas IPK-së, hetuesit mbeten në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë për të ndërmarrë veprime të tjera hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtyre dy rasteve.