Bajrami: Specialja, tendencë që me proces të montuar ta shtrembërojë historinë
Akademik Arsim Bajrami se në Gjykatën Speciale në Hagë është një proces i montuar që shtrembëron historinë moderne të Kosovës dhe luftën çlirimtare të UÇK-së.
Ai në konferencën për media të organizuar nga platforma “Liria ka emër”, e cilësoi këtë gjykatë si monoetnike dhe diskriminuese, duke theksuar se është ndërtuar mbi raportin e rremë të Dick Martyt, i sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia.
“Gjykata Speciale është një tendencë e hapur, që përmes këtij procesi, krejtësisht të montuar, ta shtrembërojë të vërtetën për historinë moderne të Kosovës, në radhë të parë dhe ekskluzivisht për ta keqinterpretuar luftën çlirimtare, të popullit të Kosovës, luftën për vetëmbrojtje, çlirimin nga sundimi serb, nga gjenocidi. Për më tepër, Gjykata Speciale, përmes Serbisë, është derivat i raportit të rremë dhe të falsifikuar të Dick Martyt dhe kjo, tanimë, dihet botërisht, pra edhe nga drejtësia ndërkombëtare. Pas dekonspirimit të raportit falsifikues të Dick Martyt, i sponsorizuar nga Rusia dhe nga Serbia, Këshilli i Evropës dështoi ta thoshte të vërtetën jo vetëm para popullit të Kosovës, por edhe para drejtësisë dhe opinionit ndërkombëtar, për atë mashtrim ordiner. Duke heshtur qëllimisht dhe duke e fshehur të vërtetën për inskenimet, mashtrimet e Raportit të Martyt, Këshilli i Evropës krijoi huti në opinionin ndërkombëtar, ndaj e vërteta për Raportin trillues të Dick Martyt u mjegullua, u fsheh. Në këtë mënyrë, me politikat obstruktive edhe të Këshillit të Evropës, tek opinioni botëror u krijuan paragjykime të tmerrshme për luftën tonë çlirimtare. Këshilli i Evropës, edhe sot, vazhdon të heshtë për të vërtetën se lufta e popullit të Kosovës, nën drejtimin e UÇK-së, me veprimet e saj guerile, ishte luftë e drejtë, çlirimtare. Pikërisht UÇK-ja, e cila lindi nga populli, krijoi aleancën diplomatike dhe ushtarake me NATO-n, me SHBA-në. Prandaj, Këshilli i Evropës mban përgjegjësi jo vetëm juridiko-penale përse lejoi që mbi një raport të falsifikuar, me ndihmën e drejtpërdrejtë të shtetit serb dhe të aleatëve të tij, të ngrejë aktakuzë ndaj personaliteteve, të cilat, gjatë luftës së Kosovës dhe pas çlirimit, ishin aleatë diplomatikë dhe ushtarakë të NATO-s, të SHBA-së dhe të shteteve të tjera të Bashkimit Evropian”, theksoi Bajrami.
Ai gjithashtu kritikoi Gjykatën Speciale për shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të paraburgimit të zgjatur e arbitrar të katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët, sipas tij, janë vetëdorëzuar dhe kanë bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare.
“Në vend të kësaj, ajo u shndërrua në një gjykatë diskriminuese dhe monoetnike, e cila pretendon të inkriminojë luftën çlirimtare dhe të drejtë të UÇK-së, duke mos u marrë fare me krimet serbe dhe me gjenocidin shtetëror të Serbisë ndaj popullatës duarthatë të Kosovës. Ushtria serbe, formacionet paraushtarake serbe, grupet kriminale, nën udhëheqjen e Arkanit, vranë mbi 14.000 civilë shqiptarë. Gjykata Speciale ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, veçanërisht Kapitullin II për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, duke cenuar prezumimin e pafajësisë, një nga parimet bazë të së Drejtës Penale Ndërkombëtare. Gjykata Speciale ka shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe parimet e saj, të cilat u referohen të drejtave të njeriut dhe procedurës së drejtë dhe të pavarur gjyqësore. Gjykata Speciale ka shkelur të gjitha parimet kushtetuese dhe ligjore, duke mbajtur në paraburgim arbitrar dhe të paligjshëm katër pjesëtarët e UÇK-së për më shumë se katër vjet. Arsyetimi i kësaj gjykate për vazhdimin arbitrar të paraburgimit, për gjoja rrezikun e ikjes së të akuzuarve është “arsyetim”, është shpjegim qesharak dhe i paqëndrueshëm, sepse katër pjesëtarët që po gjykohen janë vetëdorëzuar dhe Kosova, edhe në rastin përkatës, është shembulli më i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare”, shtoi akademik Bajrami.
Profesori universitar i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, tha se akuzat ndaj katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së shkaktojnë pasoja, jo vetëm për luftën e drejtë të UÇK-së dhe për Kosovën, pavarësia e së cilës është e njohur nga më shumë se 100 shtete.
“Forcat ushtarake policore serbe kanë vepruar të kundërtën. Kanë dëbuar afro një milion shqiptarë. Për të gjitha krimet e tyre janë dënuar një numër i vogël serbësh, ndërsa krimet janë me mijëra”, tha profesor Salihu.