Restelica e Dragashit bëhet me magazinë mbeturinash falë investimit japonez

Sot, më 14 korrik, u mbajt ceremonia e dorëzimit për Projektin për ndërtimin e një magazine për mbeturina në fshatin Restelicë, komuna e Dragashit, në kuadër të Ndihmës Japoneze për Sigurinë Njerëzore në Nivelin Bazë (GGP), në ambientet e komunës së Dragashit, ndërsa vizita në objekt u zhvillua në Restelicë.

Në ceremoni morën pjesë Hiroyasu Tanigaki, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Bexhet Xheladini, kryetar i Komunës së Dragashit, Fejsal Haliloviq, nënkryetar i Komunës, një koordinator teknik në emër të Hajime Fukudas nga Zyra Ballkanike e JICA-s, si dhe zyrtarë të tjerë përkatës nga Komuna.

Projekti për ndërtimin e një magazine për mbeturina në fshatin Restelicë, Komuna e Dragashit synon përmirësimin e kushteve të jetesës përmes ndërtimit të kësaj magazine për ruajtjen e mbeturinave.

Përfitues të pritshëm janë 2.630 banorë të fshatit. Vlera totale e projektit është tridhjetë e katër mijë e tetëqind e shtatë euro (34.807 euro).

Në fjalën e tij, Tanigaki shprehu dëshirën që objekti i ri për ruajtjen e mbeturinave, duke përfshirë edhe kontejnerët e ofruar përmes projektit, të përmirësojë shërbimin e grumbullimit të mbeturinave dhe të kontribuojë për banorët e fshatit, duke forcuar më tej menaxhimin e mbeturinave në këtë rajon.

Në fshatin Restelicë, i cili përballet me sfida të mëdha në grumbullimin e mbeturinave për shkak të rrugëve të ngushta dhe të pjerrëta, mbeturinat e mbledhura dhe të mbajtura në vendbanim shkaktonin kushte të pasanitare, dhe kjo ishte një çështje urgjente për shëndetin publik të fshatit.

Gjatë ceremonisë, Tanigaki gjithashtu vlerësoi punën e shkëlqyer të kryer deri më tani nga “Eco Restelica”, shoqata ekologjike nga Restelica, si një aktor kyç në menaxhimin e përgjithshëm të mbeturinave në fshat, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Dragashit në këto kushte të vështira.

“Magazina për Mbeturina” është një metodë për menaxhimin e mbeturinave që fillimisht u prezantua në Komunën e Dragashit nga JICA (Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar).

Në fund të fjalës së tij, Tanigaki u shpreh i lumtur që ky mekanizëm, i cili ka dëshmuar efikasitet në komuna të tjera të Kosovës, tani po zgjerohet dhe po përdoret edhe në Restelicë.

Në Kosovë, Japonia ka zbatuar skemën GGP edhe para shpalljes së pavarësisë. Deri më sot, shuma totale e ndihmës japoneze përmes GGP pas pavarësisë së Kosovës arrin në 4.185.803 euro për gjithsej 64 projekte (duke përfshirë 1 projekt kulturor) në mbarë vendin. /Zëri