Ardhja e bashkatdhetarëve, Komuna e Obiliqit do të punojë pa pauzë deri në fund të gushtit
Për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve, Komuna e Obiliqit, përkatësisht Drejtoria e Administratës, ka marrë vendim që të punohet pa pauzë duke filluar nga dita e nesërme e deri më 31 gusht, shkruan Zeri.info.
Janë Qendra për Shërbim me Qytetarë, Gjendja civile, Zyra e Tatimit në Pronë dhe sportelet e kadastrit, të cilat do të punojnë pa pauzë, pasi bashkatdhetarët më së shumti gjatë pushimeve kanë nevojë për këto shërbime.
Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e Administratës së Përgjithshme në Komunën e Obiliqit, Linda Bekteshi, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook.
“Nga nesër e deri me datë 31 gusht, Administrata Komunale do të jetë në shërbim të qytetarëve edhe gjatë kohës së pauzës. Zgjatja e orarit është bërë për shkak të rritjes së fluksit me ardhjen e diasporës. Ne mbesim të përkushtuar të ofrojmë shërbime sa më cilësore për të gjithë qytetarët. Mirë se vini, bashkatdhetarë!”, shkroi Bekteshi, ku edhe bashkëngjiti vendimin e marrë. /Zëri