Vazhdon seanca gjyqësore për aktgjykimin në Apel ndaj Pjetër Shalës
Në Gjykatën e Hagës po zhvillohet seanca gjyqësore rreth Aktgjykimit të Apelit ndaj Pjetër Shalës.
Shala nuk mori pjesë fizikisht në seancën gjyqësore, por vetëm përmes një lidhjeje direkte.
Fillimisht, gjatë seancës gjyqësore, u bë e ditur se ky aktgjykimit nuk do të jetë vendimtar.
Shala ka dorëzuar 14 pika apelimi kundër vendimit të Gjykatës Themelore, me të cilin ai u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte. Në apelimin e tij, sipas gjyqtares Michele Picard, Shala ka thënë se trupi gjykues në rastin e tij ka kryer gabime juridike dhe faktike, si dhe ka gabuar në dhënien e dënimit.
Ndryshe, më 29 nëntor 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguajë 208 mijë euro për viktimat si zhdëmtim.
Për këtë rast janë mbajtur dy seanca të apelit në të cilat mbrojtja ka kërkuar lirimin e Shalës ose rikthimin e çështjes në rigjykim, ndërsa Prokuroria ka thënë se trupi gjykues në këtë rast ka vendosur drejt, transmeton Klankosova.tv.
Përmbledhje e akuzave sipas Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë:
Në këtë çështje gjyqësore, Prokuroria pretendon se afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetër Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roja të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin çnjerëzor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të të ndaluarve në Fabrikën e Metalit në Kukës, në Shqipërinë veriore. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona që dyshoheshin se bashkëpunonin me Serbinë ose se nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Në procesin gjyqësor morën pjesë tetë viktima të përfaqësuar nga një avokat.
Sipas Aktakuzës, të ndaluarit në fabrikën e metalit u keqtrajtuan rregullisht, si fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, ndër të tjera, përmes kërcënimit me vdekje, poshtërimit, ngacmimit, marrjes në pyetje dhe detyrimit ose shtrëngimit për të dhënë informacion ose deklarata pranuese. Aktakuza pretendon se Pjetër Shala dha kontribut të qenësishëm në krimet e pretenduara duke marrë pjesë në to drejtpërdrejt, si dhe duke mos marrë masa adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, ose duke ndihmuar dhe inkurajuar në mënyra të tjera kryerjen e krimeve që paraqiten në aktakuzë.
Historiku i çështjes
Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi aktakuzën fillestare kundër Pjetër Shalës më 12 qershor 2020. Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021. Gjatë fazës së procedurës paraprake u nxorën prova, u lëshuan vendime mbi mocione paraprake dhe tetë viktima u pranuan për të marrë pjesë në proces, të përfaqësuara nga Mbrojtja e Viktimave.
Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, Mbrojtjes së Viktimave dhe Mbrojtjes së të akuzuarit. Më 9 korrik 2023, ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj. Më 21 gusht 2023, paraqiti prova Mbrojtja e Viktimave. Paraqitja e provave nga Mbrojtja nisi më 20 shtator 2023. Më 15 janar 2024, Mbrojtja e Pjetër Shalës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave të saj.
Procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje përfundoi më 9 shkurt 2024 dhe argumentet përmbyllëse u bënë nga 15 deri më 17 prill 2024. ZPS-ja thirri 10 dëshmitarë për të dëshmuar në gjykim; Mbrojtja e Viktimave paraqiti dy dëshmitarë dhe Mbrojtja e të akuzuarit 10 dëshmitarë.
Aktgjykimi u shqiptua më 16 korrik 2024. Trupi Gjykues e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 18 vjet burgim. Trupi Gjykues shpalli Shalën të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor si krim lufte.
Urdhri për zhdëmtim në lidhje me tetë viktimat pjesëmarrëse në proces u shqiptua më 29 nëntor 2024. Trupi Gjykues e urdhëroi Shalën të paguajë një shumë prej 208.000 eurosh si kompensim për dëmin fizik, mendor dhe material që iu shkaktua viktimave të krimeve për të cilat u shpall fajtor.
Më 2 shtator 2024, Mbrojtja e Shalës dorëzoi njoftimin për apel kundër aktgjykimit dhe Kryetarja caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit të përbërë prej gjykatësve Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen për të vendosur në lidhje me apelin. Seancat e apelit u mbajtën më 15 dhe 16 maj 2025.
Më 28 janar 2025, Mbrojtja e Shalës dorëzoi një njoftim tjetër për apel kundër urdhrit për zhdëmtim. Megjithatë, vendimi për apelin kundër urdhrit për zhdëmtim nuk do të merret në kuadër të aktgjykimit të sotëm.