Përfundon dëshminë Leonard Ademaj: Kërkojmë dënim kapital për të akuzuarit për vrasjen e Liridonës
Ka përfunduar seanca e sotme gjyqësore në rastin e tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka përmbyllur dëshminë e tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ademaj para trupit gjykues ka kërkuar të dënohet Naim Murseli.
“Mesazhi im dhe i familjes sonë është i qartë: Dënimi nuk na e kthen Liridonën, por të paktën le të jetë një shembull për të gjithë ata të cilët tentojnë të bëjnë një krim të tillë. Duke marrë parasysh natyrën e krimit, po ashtu rrethanat kriminale, dënimi të jetë kapital”, ka deklaruar Ademaj.
Ademaj është marrë pyetje nga Naim Murseli përgjatë dëshmisë së tij, ku ka përmendur edhe një aferë tradhtie nga ana e të akuzuarit pak muaj para ngjarjes makabër.
Pas dëgjimit të Leonard Ademaj në cilësinë e dëshmitarit, seanca ka përfunduar pasi nuk është paraparë dëgjimi i dëshmitarëve të tjerë.
Seanca e radhës gjyqësore do të vazhdojë më 22.09.2025 me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë për këtë rast.