Michalis Kakiouzis, trajneri i ri i Sigal Prishtinës

KB Sigal Prishtina ka zyrtarizuar trajnerin e ri të skuadrës – ish-basketbollistin e njohur grek Michalis Kakiouzis. Prezantimi i 48-vjeçarit u bë të hënën nga klubi kryeqytetas.

Kakiouzisi vjen me përvojë të mirë si trajner, ndonëse kryesisht me skuadra më të vogla në Greqi. Ai ka punuar edhe në Rumani te Craiova, si dhe së fundmi në Keravnos të Qipros, ku ka pasur sukses të konsiderueshëm, duke dominuar në kampionatin vendor.

Megjithatë, karriera e tij si lojtar është ajo që e bën emër të madh në basketbollin evropian. Ka qenë pjesë e disa klubeve të njohura si Montepaschi Siena, Barcelona, Sevilla, Efes Pilsen, Aris, Vanoli Cremona, Roma dhe të tjera.

Ka fituar trofe të shumtë në Turqi, Greqi, Itali, Spanjë dhe Qipro, duke luajtur si një lojtar i fuqishëm në afërsi të koshit, me gjatësi prej 207 cm.

Në arenën ndërkombëtare, Kakiouzis ishte pjesë e kombëtares së Greqisë, me të cilën u shpall kampion i Evropës dhe nënkampion i botës.

Emërimi i tij vjen në një periudhë kur Prishtina synon kthimin te trofetë, pas disa viteve pa suksese në basketbollin vendor.