“S’kemi prerë në besë askënd”, Rama: Në Theth legalizuam rreth 300 prona
Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të hënë një takim me deputetët dhe drejtorët e Bashkisë së Tiranës, ku komentoi aksionin e IKMT-së në Theth, duke theksuar se pret që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të nisë hetimin ndaj prokurores, Elsa Gjeli.
Rama tha se në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndërtues të pafajshëm, por për interesa të qarta fitimi, ndërsa theksoi se në pjesën më të madhe, ndërtimet nuk janë bërë nga banorët e zonës.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Qeverisë i cilësoi ndërtimet në Theth si “kriminale” dhe kërkoi që institucionet të mos shmangin përgjegjësitë.
“Po flas për Thethin që të jetë një adresim i qartë për të gjithë dhe të dihet cila është qasja jonë dhe qëndrimi ynë në vazhdim. Kam vënë re që ka një teori për të ardhur keq lidhur me përgjegjësinë, ku thuhet kush e ka fajin? Duket sikur në një pjesë e atyre që komentojnë, fajin ia lënë strukturave të shtetit, dhe nga njëra anë kemi ca njerëz të shkretë, e nga ana tjetër një shtet që i ka lënë të bëjnë ç’të duan në shkelje të ligjit. Duhet të sqarojmë se këtu nuk bëhet fjalë për disa të shkretë. Në pjesën më të konsiderueshme, nuk janë banorë të atij vendi. Edhe në rastin publik, bëhet fjalë për njerëz që nuk janë shfaqur. Policia po merret me hetimin se si ka ndodhur dhe kush është pas pushtimit kriminal të qendrës dhe zemrës së Thethit”, tha Rama.
Kryeministri tha se qëllimi i ndërtimeve në Theth ka qenë fitimi financiar dhe jo nevoja për banim.
“Bëhet fjalë për ndërtime që nuk janë për të futur kokën, por për qëllim fitimi. Nuk di të ketë një teori që të amistojë shkelësin e ligjit. Natyrisht që strukturat kanë përgjegjësinë e tyre dhe e kanë marrë këtë përgjegjësi. Presim çfarë do të bëjë KLP me zonjën Gjeli”, vijoi Rama.
Rama konfirmoi se janë shembur mbi 40 ndërtime të paligjshme në zonë dhe kërkoi hetim të plotë për mosveprimin e Prokurorisë.
Ai foli edhe për akuzat se qeveria kishte “prerë në besë” banorët e zonës, duke iu referuar një reagimi të bërë nga një përfaqësues i kishës.
Rama nënvizoi se ndërtimet e fundit janë bërë në muajt e fundit, duke shkelur ligjin në një zonë të mbrojtur. /euronews