Shtyhet seanca për krime lufte në Gjakovë, shkak përkthimi

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet të hënën seanca fillestare ndaj të akuzuarit për krime lufte, Dragan Ristiq, kjo pasi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dështuar të përkthejë shkresat e lëndës.

Mbrojtësja e Ristiqit, avokatja Jovana Filipovi, tha se Prokuroria përpos aktakuzës nuk e ka pajisur me shkresat tjera të lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk kemi pranuar asnjë nga shkresat e lëndës”, tha avokatja Filipoviqi.

Më pas, prokurori special Kastriot Memaj tha se për shkak të numrit të madh të shkresave të lëndës dhe angazhimit të madh të përkthyesve në përkthim të tyre, ka qenë e pamundur përkthimi i të gjitha shkresave të lëndës.

Memaj kërkoi nga avokatja mirëkuptim që të vijohet me gjykimin, me arsyetimin se aktakuza është e përkthyer dhe se shpejt do t’u dorëzohen edhe shkresat e tjera të lëndës.

Mirëpo, avokatja Filipovi kërkoi që seanca të shtyhet.

“Kjo e drejtë nuk është respektuar, andaj seanca të shtyhet”, tha avokatja Filipoviq.

Më pas, gjykatësi i rastit Rrahman Beqiri nxori vendim, me të cilin e shtyu seancën për një ditë tjetër.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 27 qershor 2025, Dragan Ristiqi akuzohet se gjatë periudhës kohore 1998-1999, në kohën e luftës në Kosovë, në territorin e qytetit të Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare, ka marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime fizike edhe psikike, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 10 maj 1999 në rrugën “Bajram Curri” në Gjakovë, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, të uniformuar edhe të armatosur, të ndarë në grupe të ndryshme, kishin hyrë me dhunë në shtëpinë e M.D., ku kishin qenë duke qëndruar M.D., Dukagjin Dyla, bashkëshortja e tij, një fëmijë si dhe dy të strehuar C.H. dhe I.L.

Fillimisht, thuhet se i kishin urdhëruar të dëmtuarit të dilnin në oborr, ku një polic kishte ndalur viktimat C.H. dhe I.L., pastaj njëri nga pjesëtarët e forcave serbe u kishte thënë “ah ju qenkeni UÇK” dhe menjëherë kishte shtënë me armë në drejtim të tyre dhe i kishte vrarë që të dy.

Në aktakuzë thuhet se një polic tjetër kishte hyrë në shtëpi ku po qëndronte M.D., dhe kishte shtënë me armë, ndërsa policët e tjerë që ishin në oborr kishin shtënë me armë në drejtim të këmbëve të të dëmtuarve Florije Dyla, Dukagjin Dyla etj., duke i detyruar që të largohen nga shtëpia.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 13 maj 1999, Florije Dyla, bashkë me Sabrije Dylën, dhe Humajun Dylën, ishin kthyer në shtëpi ku në korridor të shtëpisë e kishin gjetur të vrarë M.D., i cili e kishte pasur fytyrën e gjakosur, një plagë në gjoks, ndërsa në oborr kishin qenë të vrarë edhe C.H. dhe I.L., kufomat e të cilëve ishin gjetur pas luftës në varreza masive në Batajanicë të Serbisë, kurse identifikimi i tyre ishte bërë përmes analizës së ADN-së.

Në aktakuzë thuhet se nga 7 maji e deri më 10 maj 1999, në territorin e qytetit të Gjakovës, në kuadër të një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare, i pandehuri Dragan Ristiq kishte ushtruar dhunë fizike, psikologjike edhe trajtim çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë, duke marrë pjesë aktive në ndalimin dhe ndarjen e dhunshme të meshkujve civilë shqiptarë nga familjet e tyre.

Në aktakuzë thuhet se më 10 maj 1999 në pikën e kontrollit të improvizuar tek ura e Islam Begut (Kulla e Avdullah Pashës), në Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje me dy pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, fillimisht kishin ndalur veturën të cilën e kishte drejtuar i dëmtuari Masar Caka, i kishin nxjerrë me forcë nga vetura të dëmtuarit Masar edhe Afrim Caka, u kishin kërkuar para dhe në mungesë të mjeteve monetare, kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, përfshirë goditje me grushte, shqelma dhe me kondakë armësh në prani të fëmijëve dhe familjarëve, si dhe kishin ndaluar edhe keqtrajtuar civilë të tjerë shqiptarë në të njëjtin vend pa ndonjë bazë ligjore apo procedurale.

Tutje, në aktakuzë thuhet se kishin ushtruar kontrollin mbi kolonën e civilëve të dëbuar me qëllim selektimin dhe ndarjen e burrave për qëllime të mëtejshme represive, me ç’rast gjatë këtij aksioni u arrestuan të dëmtuarit Afrim Caka, Enver Dyla dhe u burgosën rreth 300 persona civilë të nacionalitetit shqiptar dhe komuniteteve të tjera, të cilët fillimisht u mbajtën në burgje të improvizuara, duke mos pasur trajtim human, duke u munguar edhe gjërat elementare si ushqim i rregullt, higjienë edhe kujdes shëndetësor dhe më pastaj një pjesë e të burgosurve ishin liruar, rreth 150 prej tyre ishin dërguar në burgje të ndryshme në Kosovë dhe në fund nga Burgu i Dubravës sipas aktakuzës u transferuan në burgjet e Serbisë, ku pas qershorit të vitit 1999 të dëmtuarit ishin liruar me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

Në pikën e tretë të dispozitivit të parë, thuhet se forcat policore dhe ushtarake serbe me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve dëbuan nga shtëpitë e tyre familjet Caka, Dyla dhe të gjitha familjet që banonin në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati” dhe “Mithat Frashëri” të qytetit të Gjakovës.

Në këtë pikë, më tej thuhet se në ditën kritike pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe kishin hyrë në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë dhe kishin vrarë tre persona.

Sipas aktakuzës, të njëjtit i kanë detyruar të gjithë banorët e lagjeve që t’u bashkohen kolonave të banorëve civilë të nacionalitetit shqiptar dhe nacionaliteteve të tjera, të cilët me dhunë po largoheshin nga Gjakova.

Kurse, sipas pikës së katërt të kësaj aktakuze, gjatë një aksioni të forcave policore dhe ushtarake serbe të filluar më 7 maj 1999 dhe të përfunduar më 10 maj 1999 e ku bënte pjesë edhe i pandehuri Dragan Ristiq, fillimisht u plaçkitën shtëpitë e familjes Caka, Dyla dhe të gjitha shtëpitë në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati”, dhe “Mithat Frashëri”, të qytetit të Gjakovës të nacionalitetit shqiptar e më pastaj u dogjën, duke u shkaktuar dëme shumë të mëdha materiale.

Me këto veprime, i pandehuri Dragan Ristiq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” në bashkëkryerje, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste, Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.