Gjykimi ndaj Murselit, Ademaj: Fëmijët thanë se Naimi e ka mbajtur për dore Liridonën kur është vra
Gjatë dëshmisë së tij, Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, përshkroi në detaje reagimin e familjes pas ngjarjes, sjelljen e Naim Murselit pas krimit dhe dëshminë e fëmijëve të Liridonës për natën e vrasjes.
Ademaj tha se pasi fëmijët ishin transferuar në Suedi, ai kishte kërkuar që t’i takonte dhe t’i pyeste për atë që kishte ndodhur.
“Kur kam shkuar në Suedi kam kërkuar që t’i takoj. Fjalët e djalit janë këto: ‘Hajni e ka futur dorën dhe ja ka ba mamit ‘bam’. Po ashtu tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e fundit të vrasjes”, tha ai.
Ai shtoi se fëmijët nuk kishin pranuar më kontakte me babanë e tyre.
“Që nga momenti që fëmijët kanë shkuar në Suedi, ata asnjëherë nuk kanë kërkuar as takim me babin. Të gjitha thirrjet që ja ka mundësuar gjendja për punë sociale me babin e tyre, asnjëherë fëmijët nuk i kanë pranuar. Ka arritur deri aty që fëmijët, në foto ku janë së bashku Naimi me Liridonën, e shkyen me gërshërë Naimin nga fotografia”, dëshmoi ai.
Ademaj paraqiti edhe kronologjinë e lëvizjeve të tij dhe familjarëve menjëherë pas marrjes së lajmit për vrasjen.