“Hajde n’shpi se e kanë vra motrën tënde”, vëllai i Liridona Ademajt rrëfen momentin kur mori lajmin tronditës
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt që dyshohet se u vra mizorisht nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ka dëshmuar sot para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ai rrëfeu momentin e rëndë kur mori lajmin për vrasjen e motrës.
“Në natën kritike unë isha duke punuar në lokal në fshatin tim. Diku rreth orës 10:00 mesnatë më ka telefonuar bashkëshortja dhe më ka thënë a dëgjove që e kanë vrarë Liridonën. Pasi në lokal kishte shumë njerëz nuk e kuptova mirë. Nuk ka vonuar thirrja e dytë dhe ka thënë eja se e kanë vrara Liridonën, motrën tënde. Kur jam shkuar në shtëpi gjendja e prindërve ishte tejet e rëndë. Nuk dija se çka të bëja. E kam marr veturën, i kam marr edhe prindërit dhe jam nisur për spitalin ‘Isak Grezda’ në Gjakovë. Gjatë rrugës lexoja në gazeta që Liridona është vrarë. Kur kam shkuar në spital ju kam thënë mjekëve a mund t’ju japin ndonjë qetësues a diçka prindërve se motra ka vdekur. Pasi e kanë marr trajtimin mjekësor kemi vazhduar për në Prishtinë me saktësisht në QKUK. Kur kemi shkuar në spital, kishte policë të shumtë, të cilëve ju drejtova me pyetje a mund të dijë në lidhje me rastin e Liridon Ademajt. Ata më thanë që duhet të shkosh në stacionin policor në ‘Dragodan’. Kur kam shkuar në polici, aty kishte zyrtarë policorë dhe njëri nga policët aty që ishte ua kumtoj lajmin për vdekjen e Liridonës prindërve. Gjendja ishte tepër e rendë. Pas pak minutash aty erdh edhe ambulanca. Unë kam thënë ku janë fëmijët dhe Naimi. Më kanë thënë që është brenda. Së bashku me bashkëshorten kemi shkuar të fëmijët, takimi me ta ishte shumë prekës, ata ishin të frikësuar, të mërzitur për atë që kishin parë e dëgjuar. Kur kam pyetur se ku është Naimi më kanë thënë që është duke dhënë deklaratë. Pas diku një ore e gjysmë, Naimi ka dalë nga policia, ne fëmijët i kishim marr me veturë. Kur ka dalë Naimi nga policia aty ishte prezent edhe Kushtrim Kokalla. E kemi pyetur Naimin se çfarë ndodhi. Ai na tha që na ka dal një hajn, me armë, dhe na ka kërkuar të holla. Unë tha i kam nxjerr të hollat dhe i kam thënë edhe Liridonës jepi krejt çka ke. Liridona duke shikuar në çantë unë i kam halur dyert dhe ju kam thënë femijeve me ik në gjuhën suedeze. Pasi kemi shkuar 4-5 metra e ka ndëgju një krismë por unë kam vazhdur të iku me fëmijet. Ka ardhur një veturë në drejtim tonë dhe ka dashur të na shkel mu dhe femijt kam kerkuar ndhm në disa shtepi por që nuk na kanë dhene ndihme. Kam shkuar në market aty i kam thënë pronarit a mund ta shikosh fëmijet se po du me shku me kqyre se ma kanë vra grun. Por pronari nuk me ka lejuar, me ka thënë jo se është rreizk rri ketu priti policin . Pasi ishte natë së bashku me familjen i kemi marr fëmit, ndërsa Naimi ka qëndruar se bashku me kushtrimin. Për ne ajo nat nuk ishte e leht sespe i kishim edhe fëmit. Kemi qëdruar deri në mëngjes”, tha Leonard Ademaj.
Ai shtoi se menjëherë kishte shkuar në shtëpi me vrap, kishte marrë prindërit dhe i kishte çuar në spitalin e Gjakovës për t’u dhënë qetësues.
Më pas, bashkë me ta ishin nisur drejt QKUK-së.
Naim Murseli është paraqitur në seancë, pasi pas ekzaminimeve psikiatrike ka rezultuar se ky i fundit është në gjendje të rregullt mendore dhe mund të vijojë seancat e mëtejme gjyqësore.
Para nisjes së seancës, avokati i Murselit, Shemsedin Piraj, ka kërkuar nga gjykata që të konsultohet me të akuzuarin lidhur me shqyrtimin gjyqësor. Këtë kërkesë e ka aprovuar nga Gjykata.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.
Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për një grabitje, e më pas Prokuroria bëri të ditur se është inskenim i një grabitjeje.