Lista Serbe i ankohet diplomatit amerikan
Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, të dielën ka zhvilluar një takim me udhëheqësit e Listës Serbe, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë.
Delegacioni i Listës Serbe u kryesua nga Zlatan Elek.
Pas takimit, përmes një deklarate, ky subjekt politik njoftoi se kishin zhvilluar një bisedë “të hapur dhe konstruktive” me diplomatin amerikan.
Në deklaratën e publikuar, Lista Serbe pretendoi për “dhunë institucionale gjithnjë e më të theksuar ndaj popullit serb në Kosovë”, duke akuzuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare për mungesë reagimi adekuat.
Sipas tyre, “veprimet e njëanshme të institucioneve të Kosovës e përkeqësojnë më tej situatën e sigurisë dhe kërcënojnë të drejtat themelore të serbëve”.
Në vijim, Lista Serbe kërkoi deeskalim urgjent të situatës dhe një reagim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare.
Ata ritheksuan gjithashtu kërkesën për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke e quajtur këtë një “detyrim ndërkombëtar të Prishtinës të injoruar prej vitesh”.
Sipas kësaj partie, janë të domosdoshme garanci ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë, me pretendimin se institucionet vendore veprojnë shpesh në kundërshtim me rregulloret përkatëse.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Hanrahan është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti si dhe me përfaqësues të partive opozitare.