Granit Xhaka arrin marrëveshje me një klub nga Arabia Saudite – paga e tij do jetë marramendëse

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka, është shumë pranë një transferimi të bujshëm drejt Arabisë Saudite.  

Sipas raportimeve të fundit, Xhaka ka arritur një marrëveshje verbale në parim me klubin e sapopromovuar në Superligën e Arabisë, Neom SC, ku pritet të përfitojë një pagë marramendëse prej 10 milionë euro neto në vit. 

Oferta e Neom SC është aktualisht më e larta në garë për Xhakën dhe përfaqësuesit e klubit saudit e kanë njoftuar zyrtarisht Bayer Leverkusen për dëshirën për ta transferuar lojtarin. 

 Një tarifë e mundshme prej rreth 6 milionë euro është paraqitur, por nuk ka ende një marrëveshje mes klubeve. 

 Bisedimet e reja, që mund të jenë vendimtare, pritet të zhvillohen të hënën. 

Në rast se transferimi në Arabinë Saudite dështon, Fenerbahce është futur në garë si alternativë serioze. 

 Gjithashtu, më herët gjatë afatit kalimtar, Galatasaray kishte shfaqur interes konkret për Xhakën, por oferta e tyre financiare prej rreth 3.8 milionë euro në vit nuk është konkurruese me atë të Neom SC. 

Burime të afërta me lojtarin raportojnë se Xhaka është i tunduar nga projekti financiar dhe sportiv i Neom SC, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ai të qëndrojë në Europë nëse kushtet janë të favorshme.