Festivali i Lahutës bashkon Hotin në Plavë e Guci
Në kuadër të takimeve të Hotit të Kujit mbi Plavë e Guci është organizuar Festivali i lahutës.
Ringjallja e identitetit në këtë trevë dhe rikthimi i shpresës këtu, janë qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve kulturore thanë organizatorët e kësaj ngjarjeje, e cila mblodhi rreth vetes, njerëz të shkencës, artit e të kulturës, ambasadorë dhe zyrtar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.
“Arsye kryesore për çdo aktivitet që e kemi marrë këto tetë vitet e fundit që jam këtu është për ta rikthyer identitetin edhe mos me lejuar të zhduken shqiptarët që jetojnë në Hot e pastaj vazhdojmë në Plavë e më tutje. Shpeshherë them se ne që jetojmë si pakicë shqiptare në Mal të Zi, jemi trohat e bukës së Shqipërisë dhe Kosovës, prandaj ato duhet t’i mbledhë dikush”, tha Kaltrina Hoti, organizatore.
“Një festival shumë i rëndësishëm dhe siç thatë edhe ju është një festival që mbahet në një vend tipik historik. Këtu nuk po vij për herë të parë kam qenë edhe herë të tjera nga rinia e hershme po vërtetë sa herë vij këtu zemra si thonë më bëhet mal për këta njerëz se ende vazhdojnë jetën këtu, ende përpiqen të mbijetojnë dhe ende përpiqen të krijojnë edhe një brez tjetër të cilin e pamë këtu me paraqitjen e vet me valle po edhe me këngë pra edhe me instrumente muzikore”, tha ndërkaq profesori Zymer Neziri.
Ndërsa profesori Binak Ulaj tha se me këto aktivitete Hoti ka filluar të gjallërohet.
“Kësaj vlere ia shton peshën edhe ky manifestim që u mbajt këtu për arsye se jo vetëm që kultivon një kulturë tonë tradicionale, siç është festivali i lahutës por i bashkon njerëzit e të gjitha trojeve shqiptare dhe kjo ka një rëndësi të veçantë”, tha Ulaj.
Ndërkaq Ibër Hoti, përfaqësues i Hotit tha se ky është viti i parë, por tha se nuk ka pritur aq shumë njerëz.
“Edhe organizimi ka qenë më i vështirë sepse është hera e parë që organizojmë diçka në këtë nivel edhe na kemi vendosur që organizimin me e bërë me forcat tona mos me kërkuar prej askujt, shteti ma së pari nuk interesohet”, tha ai.
Në përmbyllje të këtij takimi tradicional, në skenë dolën dy vajza nga dy familje të asimiluara shqiptare në Rozhajë, të cilat tashmë kanë filluar t’u kthehen rrënjëve të tyre./rtk