Haradinaj pas takimit me Hanrahanin: Aleanca me Amerikën e pathyeshme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit që ka pasur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë me zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, tha të ketë theksuar rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara , si dhe nevojën për të thelluar partneritetin në fushën e sigurisë.

“Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim të plotë në NATO, dhe mbështetja e SHBA-së është tepër e rëndësishme për këtë rrugë”, ka shkruar Haradinaj, pas takimit me zyrtarin e lartë të DASH-it.

Ai tha se aleanca e Kosovës me Shtetet e Bashkuara është e pathyeshme.

“Aleanca jonë më Amerikën është e përjetshme dhe e pathyeshme, ndërsa përkushtimi ynë si vend është i palëkundur për ta forcuar këtë aleancë çdo ditë”, ka shkruar Haradinaj.

Takimi i Haradinajt me zyrtarin e lartë amerikan erdhi në kuadër të takimeve që po zhvillon Hanrahan me lider institucional e politikë.

Mbrëmë me të arritur në Kosovë ai kishte takuar në darkë pune, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ndërkohë, me presidenten ishte takuar para disa ditësh në Amerikë, gjatë qëndrimit të Osmanit atje.