Kush po e lexon drejt Kushtetutën? – Partitë me intepretime të kundërta për aktgjykimin

Kanë mbetur edhe 13-ditë nga afati që ka dhënë Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Mirëpo, të zgjedhurit e popullit vazhdojnë të kenë interpretime të ndryshme për këtë aktgjykim.

Sipas deputetes së Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu, nëse afati kalohet, Presidentja nuk duhet t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese.

“Unë nuk mendoj që do të duhej të mbërrin edhe te një kërkesë tjetër e presidentes kësaj here në drejtim të Gjykatës Kushtetuese përderisa neve në aktvendim na thuhet qartë çfarë pritet të veprohet të ndërmerret nga ana e deputetëve të cilët disa nga ta nuk po veprojnë njëjtë, po flas për deputetët e partive opozitare të cilët nuk kanë asnjë pjesëmarrje në votim dhe nuk po kontribuojnë që procesi të merr një epilog dhe konstituimi i Kuvendit të ndodh”, thotë Kryeziu.

E një mendim më ndryshe e ka Alban Zogaj nga LDK, i cili vlerëson se Presidentja duhet të ndërhyjë në këtë situatë.

“Të dy partitë politike edhe LDK dhe PDK i jemi drejtua. Nuk e di për presidenten por presim që edhe presidenca të reagoi sepse po hyjmë në një krizë shumë të thellë politike, dhe kemi paqartësi të mëdha se çfarë ndodh pas atij 30-ditëshit që është dhënë si afat”, tha Zogaj.

Nga PDK nuk kanë pasur ndonjë koment për këtë çështje, mirëpo ministri në detyrë dhe deputeti Nenad Rashiq, vlerëson se është urgjencë që Osmani t’i drejtohet edhe njëher Gjykatës Kushtetuese.

“Presidentja gjithqysh sa po e shoh unë pasi që nuk ka kapacitet për një kompromis, do të duhej me siguri t’i referohet prapë Gjykatës Kushtetuese me pyetje çfarë pas skadimit të afatit, ishalla nuk vijmë deri në atë moment. Por, siç po duket, kjo do të vazhdohet edhe më tutje për fatkeqësi po them për të gjithë neve gjithë qytetarëve, neve që kemi qenë për një qasje konstruktive ndaj proceseve”, thotë Rashiq.

Paritë politike pas çdo dështimi të seancës për konstituim të Kuvendit, vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për mos dalje nga kjo situatë.