Pse jeni gjithmonë të lodhur? Shkaqet më të zakonshme dhe çfarë mund të bëni

A keni ndjesinë se nuk arrini dot aq sa dikur? A ndiheni të rraskapitur, edhe kur flini mjaftueshëm? Shumë njerëz fajësojnë punën apo moshën për këtë lodhje, por shpesh pas saj fshihen arsye më konkrete, disa të parrezikshme, të tjera që kërkojnë kujdes mjekësor

Nëse flini mes shtatë dhe nëntë orë në natë, por përsëri zgjoheni të lodhur, është koha të konsultoheni me mjekun dhe të bëni disa analiza. Shpesh lodhja mund të lidhet me një gjendje shëndetësore që zgjidhet lehtë, por mund të jetë edhe shenjë e një sëmundjeje më serioze.

Anemia – një nga shkaqet më të zakonshme, sidomos te gratë

Tek gratë, anemia është shkaktari më i shpeshtë i lodhjes. Humbja e gjakut gjatë ciklit menstrual mund të ulë nivelin e hemoglobinës, proteina e pasur me hekur që transporton oksigjenin në trup. Pa oksigjen të mjaftueshëm, organet nuk funksionojnë si duhet, prandaj ndiheni të lodhur. Përveç menstruacioneve, anemia mund të shkaktohet edhe nga gjakderdhja e brendshme apo mungesa e hekurit, acidit folik dhe vitaminës B12. Një analizë gjaku mjafton për ta zbuluar. Nëse diagnostikohet, shpesh mjafton një terapi me suplemente dhe ushqim të pasur me hekur dhe vitamina për ta zgjidhur brenda pak javësh.

Hipotireoza – kur gjëndra tiroide ngadalëson gjithë trupin

Nëse përveç lodhjes ndiheni të plogësht, keni rënie humori dhe nuk keni energji, mund të keni funksionim të dobët të gjëndrës tiroide. Kjo gjëndër në qafë kontrollon metabolizmin dhe tek shumë gra pas moshës 60 vjeç mund të zhvillohet hipotireoza, shpesh për shkak të sëmundjeve autoimune. Lajmi i mirë është se diagnostikohet lehtë me analizë të hormoneve T3 dhe T4 dhe trajtohet me hormone sintetike që normalizojnë gjendjen shpejt.

Infeksionet urinare – shpesh të fshehura pas lodhjes

Një tjetër shkaktar i zakonshëm janë infeksionet e traktit urinar. Shpesh lodhja është e vetmja simptomë. Infeksioni shkaktohet nga baktere që mund të merren nga sipërfaqe të ndotura ose marrëdhënie seksuale. Një kurë me antibiotik e zhduk shpejt problemin.

Apnea e gjumit dhe sëmundjet e zemrës – më të fshehta, por më të rrezikshme

Shumë njerëz vuajnë nga apnea e gjumit pa e ditur. Bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes bën që gjumi të ndërpritet vazhdimisht dhe organizmi të mos marrë oksigjenin e duhur. Apnea rrit rrezikun për sëmundje të zemrës dhe tru. Ndërprerja e duhanit, humbja në peshë dhe trajtimi mjekësor mund ta zgjidhin këtë problem.

Nëse keni sëmundje të zemrës, lodhja shoqërohet shpesh me dhimbje në gjoks. Mos e neglizhoni – konsultohuni me mjekun, sepse çdo sëmundje e zemrës e patrajtuar mund të ketë pasoja serioze.

Stili i jetesës – shpesh fajtori i vërtetë

Nëse analizat dalin normale, por vazhdoni të ndiheni të lodhur, ndoshta është koha të ndryshoni disa zakone: shmangni kafeinën e tepërt, ndaleni duhanin, ushqehuni më shëndetshëm dhe përfshini aktivitet fizik në rutinën tuaj. Nuk ka rëndësi vetëm sa flini, por edhe kur flini – përpiquni të keni një orar të rregullt gjumi.

Duke kujdesur më shumë për shëndetin dhe zakonet tuaja, do të ndjeni më shumë energji dhe përqendrim gjatë ditës. /Telegrafi