16 korriku, “Dita D” në Hagë – vendimet e mëdha në Speciale

16 korriku i 2025-ës po konsiderohet si “Dita D” në procesin gjyqësor në Hagë, pasi të mërkurën Trupi Gjykues në çështjen “Thaçi dhe të tjerët” do ta bëjë publike vendimin e tyre në lidhje me Mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të Aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të shtunën e 12 korrikut janë bërë një muaj që kur mbrojtja e kishte dorëzuar këtë Mocion, ndërkaq Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte afat deri më 14 korrik, megjithëse kundërpërgjigjen e kishte çuar në adresë të Gjykatës më 7 korrik, njofton Klankosova.tv.

Trupi Gjykues ka marrë vendim që të mërkurën nga ora 09:00 ta shpallë vendimin lidhur me Mocionin. Kjo do të jetë hera e parë ku do të mund të shihet se ku qëndron Trupi Gjykues në raport me Thaçin dhe të tjerët, dhe në raport me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Specializuar.