Izraeli sulmon qendrën e shpërndarjes së ndihmave në Gaza, të paktën 59 të vrarë
Të paktën 59 palestinezë janë vrarë në Gaza pasi ushtria izraelite hapi zjarr pranë një qendre shpërndarjeje ndihmash në Rafah dhe ndërmori sulme ajrore në zona të ndryshme të territorit.
Kryqi i Kuq, i cili operon një spital në qytetin jugor të Rafahut, bëri të ditur se 25 persona u shpallën të vdekur sapo mbërritën në spital, ndërsa gjashtë të tjerë humbën jetën pas shtrimit. Gjithashtu, sipas deklaratës, spitali pranoi 132 pacientë me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
“Shumica dërrmuese e pacientëve kanë pësuar plagë nga të shtënat. Të gjithë personat që ishin të vetëdijshëm pohuan se ishin duke tentuar të merrnin ushqim në një qendër shpërndarjeje ndihmash”, thuhet në njoftimin e Kryqit të Kuq.
Organizata theksoi se ky incident përbën fluksin më të madh të viktimave që prej hapjes së spitalit në maj të vitit të kaluar.
Ushtria izraelite (IDF) konfirmoi se kishte qëlluar “të shtëna paralajmëruese” në afërsi të qendrës së ndihmave, por tha se “nuk është në dijeni për persona të lënduar” si pasojë e këtij veprimi.
Në një deklaratë zyrtare, IDF tha: “Më herët sot, disa persona të dyshuar u panë duke iu afruar trupave të IDF që po operonin në zonën e Rafahut, duke përbërë një kërcënim për to, qindra metra larg qendrës së shpërndarjes së ndihmave.”
“Trupat e IDF ndërhynë për të parandaluar afrimin dhe qëlluan të shtëna paralajmëruese.”
Ngjarja ka ngritur sërish shqetësime të mëdha për sigurinë e civilëve në Gaza dhe për pengesat në shpërndarjen e ndihmave humanitare në një zonë tashmë të rënduar nga kriza e vazhdueshme humanitare. / abcnews