Fillon protesta për Agon Zejnullahun, familjarët e tij kërkojnë drejtësi

Nën moton “Ti je polic, por jo zot me marrë shpirtin”, po mbahet protesta afër stacionit policor në Lipjan ku po kërkohet drejtësi për Agon Zejnullahun, i cili ka vdekur të hënën në orët e para të mëngjesit gjatë arrestimit nga Policia e Kosovës.

Protesta është organizuar nga familjarët e Zejnullahut, të cilët akuzojnë policinë për vdekjen e Agon Zejnullahut,  siç thonë ata nga zyrtarët e papërgjegjshëm.

Ndryshe, të premten në një intervistë në emisionin “Mesditë” në tëvë1, vëllai i viktimës, Alban Zejnullahu ka deklaruar se nuk marrë asnjë letër zyrtare nga institucionet e Kosovës dhe nuk janë në dijeni se mostrat e të ndjerit, Agon Zejnullahut janë dërguar jashtë vendit.

Më tej, ai ka paralajmëruar se protesta do të jetë paqësore, pa konotacione politike.

“Të shtunën në ora 11:00, pranë stacionit policor në Lipjan disa bashkëqytetarë, disa organizata bashkë me ne familjarët do të jemi prezent në një protestë paqësore, pa konotacione politike ku do të protestojmë për vëllaun tonë i cili tashmë dihet që është vrarë nga disa zyrtarë të papërgjegjshëm policor. Nuk e di se a do të ketë efekt kjo protestë ne do të marrim pjesë si qytetarë dhe kushdo që e sheh të arsyeshme dhe e ndjen se ka ndodhur një vepër kaq e keqe i ftojë të marrin pjesë edhe unë. Ne nuk kemi asnjë letër nga asnjë institucion , asgjë nuk dimë, asgjë zyrtare nuk kemi në duart tona”, ka deklaruar Zejnullahu.

Ndërkohë, pesë zyrtarë të policisë janë në paraburgim dhe po dyshohen për “vrasje nga pakujdesia”./teve1