Policia kap pesë emigrantë në një rimorkio kamioni në terminalin doganor në Ferizaj, arrestohet shoferi kosovar
Pesë emigrantë të paligjshëm janë zbuluar sot pasdite në një kamion me targa vendore në Terminalin Doganor në Ferizaj.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 16:00, njësitë reaguese dhe Hetimet nga stacioni policor në Ferizaj kanë dalë në vendngjarje pas një informate nga zyrtarët doganorë se në një rimorkio dyshohej për praninë e emigrantëve të paligjshëm.
Pas hapjes së bllokadave të rimorkios, u gjetën pesë persona: tre 17-vjeçarë, një 18-vjeçar dhe një 28-vjeçar, të gjithë pa dokumentacion identifikues.
Në lidhje me rastin, është njoftuar prokurori kujdestar dhe njësia për migrim, të cilët kanë marrë në trajtim të mëtejmë të dyshuarit, si dhe drejtuesin e kamionit, shtetasin kosovar B.B., 38 vjeç.
Policia njofton se rasti po trajtohet si “Kalimi i paligjshëm i kufirit” dhe “Kontrabandim me emigrantë”. Hetimet janë në vazhdim.