Mbyllen 30 qendra masazhi dhe lokale nate nëpër Kosovë
Në një aksion të gjerë, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur 30 qendra masazhi dhe lokale nate në gjithë Kosovën.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim më Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë e Hetimit të Trafikimit me Njerëz, me inspektorët nga Administrata Tatimore e Kosovës, si dhe me inspektorët nga Inspektorati Qendror i Punës, kanë realizuar një aksion të gjerë inspektimi tek operatorët ekonomikë, të cilët ushtrojnë veprimtari tregtare - aktivitete të mirëmbajtjes trupore (qendra masazhi) dhe aktivitete tjera të argëtimit dhe rekreacionit (muzikë nate).
Në njoftim thuhet se aksioni i përbashkët ka rezultuar me inspektimin e 114 subjekteve ekonomike, përkatësisht 67 operatorëve ekonomikë që ushtrojnë veprimtari tregtare - aktivitete të mirëmbajtjes trupore (qendra masazhi), 47 operatorë ekonomik që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe aktivitete tjera të argëtimit e rekreacionit (muzikë nate).
“Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave të tyre ligjore, kanë bërë mbyllje të përkohshme të 30 operatorëve ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
“Kjo mbyllje është për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike”.
“Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar 33 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. /Zëri