ZRRE-ja miraton licencat për dy kompani energjetike, përfshirë edhe atë të vëllait të shefit të kabinetit të Kurtit

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar të enjten licencat për dy kompani për furnizim me shumicë të energjisë elektrike, “Energy Kosova V.B” sh.p.k dhe “Management & Development Associates” sh.p.k (MDA).

Kjo e fundit drejtohet nga Driton Dalipi, vëllai i shefit të kabinetit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Luan Dalipi.

“Më 10.07.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për energji ka mbajtur seancën e tetë (VIII) për vitin 2025. Në këtë seancë Bordi ka shqyrtuar dhe aprovuar aplikacionet për licencim të aktivitetit për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike të “Energy Kosova V.B” sh.p.k dhe “Management & Development Associates” sh.p.k.

Në këtë seancë janë shqyrtuar dhe aprovuar edhe kërkesat e njëmbëdhjetë (11) subjekteve juridike dhe katërmbëdhjetë (14) personave fizik për marrje të autorizimit për vetë-konsum, me kapacitet total të instaluar prej 1282 kW.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.