Polici Rrahmani thotë se Zejnullahu kishte lëvizje të pakontrolluar – bërtiste me zë “largohuni, nuk po ju njoh”
“Edhe pse në makinë nuk ishte askush, bërtiste me zë ‘largohuni prej meje, s’po du me ju pa, nuk po ju njoh’”, kështu ka deklaruar polici Liridon Rrahmani – njëri prej pesë zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për “Vrasje nga pakujdesia” në rastin e të riut në Lipjan, Agon Zejnullahu.
Në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar Klankosova.tv, Rrahmani po ashtu ka deklaruar se si, sipas tij, 27-vjeçari tashmë i ndjerë, në mënyrë të pakontrolluar kapte derën e makinës në të cilën ishte futur dhe nuk ishte e tij, me ç’rast, i ndjeri godiste këmbët e veta.
“Unë së bashku me kolegun Artidonin ju kemi përgjigjur thirrjes, ku për një kohë të shkurtër kemi mbrri në vendin e incidentit. Me të dalë nga vetura e kam pa një qytetar, i cili ishte i ulur ne një veture civile ‘Golf 7’ ngjyrë e bardhë në ulësen e shoferit, ndërsa te dera e veturës ‘Golf’ aty ishin kolegët, rreshter Ibrahim Nela dhe Albion Retkoceri, po ashtu aty prezent ishte pronari i veturës civile dhe një shok (qytetar) i personit të dyshuar, i cili ndodhej ulur në një veturë civile. Zyrtarët policorë së bashku me shoferin e veturës dhe shokun e tij u mundojshin me fjalë ta qetësojnë, pasi i dyshuari kishte lëvizje trupore të pakontrolluara si dhe përdorte një gjuhë të çuditshme, citoj ‘u kthejke mrapa nga makina edhe pse në makinë nuk ishte askush duke bërtitur me zë: ‘largonu prej meje, s’po du me ju pa, nuk po ju njoh’, po ashtu ka përdorur edhe fjalë të cilat nuk kemi mundur ta kuptojmë se çka po thotë, i cili ishte ulur në veturën siç e ceka më lart në karrigen e shoferit, por i njëjti dy këmbët i kishte jashtë makine dhe në mënyrë të pakontrolluar kapte derën e makinës për ta mbyllur me çka i godiste këmbët e veta duke mos pasur kontroll në veprimet e tij dhe në një moment të caktuar i dyshuari vetë ka dalë nga makina ‘Golf 7’ dhe në atë moment rreshteri ka qenë afër tij dhe e ka kap në krahun e majtë ku unë kam intervenuar duke i asistuar rreshterit dhe në ato momente ka qenë reagimi i gjithë zyrtarëve policorë, të cilët kemi përdorë forcën duarthatë për ta vënë nën kontroll të dyshuarin tanimë të ndjerë, pasi siç e ceka edhe më lart i njëjti ka pas reagime trupore derisa ishte në veturë të pakontrolluara, e kemi shtri për toke, me ç’rast kemi bërë arrestimin e tij dhe kjo ka ndodh e gjitha”, përfundohet në deklaratën e policit Rrahmani, raporton Klankosova.tv.
Rrahmanit dhe katër policëve të tjerë u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh për secilin.