Brenda dhjetë vjetësh robotët mund të fillojnë t’i operojnë njerëzit
Shkencëtarët thonë se kirurgjia e automatizuar mund të testohet te njerëzit brenda një dekade, pasi një robot i trajnuar me Al i pajisur me mjete për prerje, kreu me sukses një operim në organet e derrit pa ndihmën e njeriut.
Kirurgët robotë trajnohen përmes videove të mjekëve dhe kryejnë operacione duke përdorur organe të marra nga derrat e ngordhur.
Në një përparim kërkimor, tetë operacione në organet e derrave me një shkallë suksesi 100% u kryen nga një ekip i udhëhequr nga ekspertë nga universiteti “Johns Hopkins” në Baltimore, SHBA, shkruan “The Guardian”.
Kolegji Mbretëror i Kirurgëve në Mbretërinë e Bashkuar e quajti atë një “zhvillim emocionues që tregon premtime të mëdha”, ndërsa John McGrath, eksperti kryesor i Mbretërisë së Bashkuar në kirurgjinë robotike, i quajti rezultatet “mbresëlënëse” dhe “të reja” dhe tha se “na çon më tej në botën e autonomisë”.
Bëhet e ditur se robotët ishin pak më të ngadaltë se mjekët, por ishin në gjendje të korrigjonin vazhdimisht gabimet gjatë punës, të kërkonin mjete të ndryshme dhe të përshtateshin me variacionet anatomike, sipas një punimi të botuar në revistën Science Robotics.
Autorët nga universitetet Johns Hopkins, Stanford dhe Columbia e quajtën atë “një pikë kthese drejt zbatimit klinik të sistemeve autonome kirurgjikale”.