580 mijë euro për Preshevën, Qeveria në detyrë e Kosovës mbështet ndërtimin e shkollës së muzikës dhe muzeut

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 580 mijë euro për ndërtimin e shkollës së muzikës dhe muzeut në komunën e Preshevës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë tha se ndarja e këtyre mjeteve është mbështetje financiare në bashkëfinancim.

“Mbështetjen financiare, institucionale dhe politike po e vazhdojmë edhe sot me ndarjen e 580 mijë eurove për këto dy projekte. Qëndrueshmëria e kësaj mbështetjeje do të vijojë për bashkëkombasit tanë, qeverinë tonë e kanë dhe do ta kenë përherë në krah”, tha Kurti.

Kurse ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, u shpreh se ndarja e këtyre mjeteve po bëhet pas kërkesës së Komunës së Preshevës.

“Sipas kërkesës së Komunës së Preshevës dhe pas konsultimeve me ministritë përkatëse kërkoj të miratohet kjo kërkesë për bashkëfinancimin e projektit në fjalë për ndërtimin e shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës”, tha Çeku.