Avokati i njërit prej policëve të arrestuar në Lipjan: Viktima s’ka vdekur nga veprimet e zyrtarëve policorë

Pas arrestimit të pesë zyrtarëve policorë, tashmë edhe caktimit të masës së paraburgimit, në lidhje me rastin tragjik që përfundoi me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, njëri nga avokatët mbrojtës, Urim Vokshi, ka ofruar një version tjetër të ngjarjes.

Sipas Vokshit, viktima kishte sjellje të dhunshme, duke sulmuar qytetarë dhe policë pa ndonjë arsye të qartë.

“Kuptohet që përveç që ka sulmuar shumë qytetarë, ka sulmuar edhe policinë, pa qenë preokupuar, pa pasur asnjë arsye. Derisa ende policie ishte duke vozitur veturën. Edhe kur ndalet tenton prapë tenton ta sulmojë policinë, ai reagon me sprej. Dhe pas kësaj ai futet në veturë. Ai në veturë ka qëndruar mbi 8 minuta, dhe zyrtarët policore, nuk kanë bërë asnjë presion, as nuk kanë përdorur dhunë e as sprej. Vetëm kanë biseduar me të dhe i kanë thënë që autoambulanca është në ardhje, duket se i njëjti ka qenë në ndikim të substancave të caktuar, për çka është sjell në mënyrë të çuditshme… i njëjti del vetë nga vetura dhe tenton të ik, dhe zyrtarët policor e marrin për ta prangosur dhe nuk qëndron për minuta të tërë mbi të, por vetëm derisa ta prangonin. Rezistenca e tij e ka pamundësuar prangosjen e menjëhershme…. nuk ka vdekur si rezultat i veprimeve të zyrtarëve policor” ka thënë Vokshi për Dukagjinin.