Zyrtare: Ardian Ismajli prezantohet te Torino
Mbrojtësi shqiptar me origjinë nga Kosova, Ardian Ismajli, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij futbollistike. 28-vjeçari është transferuar te Torino, një nga klubet historike të Serie A, si lojtar i lirë.
Torino e prezantoi zyrtarisht Ismajlin mbrëmjen e së martës, pasi ai mbylli kontratën me Empolin, skuadrën që nuk arriti të mbijetojë në elitën e futbollit italian këtë sezon. Më parë, qendërmbrojtësi kishte luajtur në Serie A edhe me Spezian.
Karrierën e nisi në Kosovë me klubin 2 Korriku, për të kaluar më pas te Prishtina. Hapi i madh erdhi në vitin 2016, kur u bashkua me Hajdukun e Splitit në Kroaci, ku u shqua si një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit, gjë që i hapi rrugën drejt Italisë.
Në arenën ndërkombëtare, Ismajli ka përfaqësuar më parë Kosovën U21 si kapiten, por në nivelin e seniorëve ka zgjedhur fanellën e Shqipërisë, me të cilën ka regjistruar 45 paraqitje dhe ka shënuar tri gola.
Përvoja e tij në Serie A është e konsiderueshme: 117 ndeshje në kampionat dhe disa të tjera në Kupën e Italisë, ndërsa në Kroaci ka mbledhur 84 paraqitje.
Me Torinon, Ismajli ka nënshkruar kontratë dyvjeçare, me mundësi zgjatjeje edhe për një vit tjetër. Klubi granata, që e mbylli sezonin e fundit në vendin e 11-të, kërkon të forcojë mbrojtjen dhe t’i rikthehet sukseseve, pas dekadash pa trofe të mëdhenj.
Torino ka fituar shtatë herë titullin kampion në Itali, por hera e fundit daton në vitin 1976. Ndërsa Kupa e Italisë u fitua për herë të fundit në vitin 1993. Ismajli, me eksperiencën e tij, pritet të jetë një shtyllë kyçe në projektin e ri të klubit.