Kërkohet paraburgim për pesë policët e dyshuar në rastin e 27-vjeçarit në Lipjan
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë-Dega në Lipjan caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët gjenden nën masën e ndalimit si të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan.
Këtë për portalin rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
“E konfirmoi se Prokurori i shtetit e ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve”, konfirmoi Shala.
I riu në Lipjan vdiq në orët e para të së hënës (7 korrik) pasi u arrestua nga policia nën dyshimin se në gjendje të dehur po sulmonte automjete e kalimtarë. Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.
Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këtë rast.