Zyrtare: Adrion Pajaziti transferohet te Hajduk Split
HNK Hajduk dhe Fulham FC kanë arritur marrëveshje për transferimin e mesfushorit 22-vjeçar Adrion Pajaziti, i cili ka nënshkruar kontratë me klubin kroat deri në verën e vitit 2029.
Futbollisti shqiptar i është bashkuar menjëherë stërvitjeve me skuadrën e parë dhe do ta mbajë fanellën me numrin 4.
Pajaziti ka lindur në Londër më 2002 dhe është formuar si futbollist në akademinë e Fulhamit. Debutimin me ekipin e parë të Fulhamit e bëri në vitin 2021 në një ndeshje të Kupës së Ligës ndaj Birmingham Cityt.
Në janar të vitit 2023, Adrioni u huazua në Norvegji te Haugesund, ku zhvilloi 11 ndeshje, ndërsa sezonin e kaluar la gjurmë me paraqitjet e tij në elitën e futbollit kroat, duke luajtur si i huazuar për HNK Gorica.
Për Goricën luajti në 23 ndeshje zyrtare dhe shënoi 3 gola, duke treguar cilësi të larta si mesfushor organizator.
Adrion Pajaziti ka përfaqësuar në të kaluarën ekipet e reja të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa në mars të këtij viti bëri debutimin e tij me Kombëtaren A të Shqipërisë ndaj Anglisë në Wembley. Deri tani ka regjistruar 2 paraqitje zyrtare me kuqezinjtë.