Supremja e shpall të paligjshme dhe shfuqizon ndryshimin e Rregullores së AAC-së

Gjykata Supreme e ka shpallë të paligjshme dhe ka shfuqizuar Rregulloren për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores mbi Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Autoritetin e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës.

Këtë vendim, Gjykata Supreme e ka marrë më 10 qershor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Me këtë vendim, Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësve Arianit Islami, Lendita Kika-Berisha, Besnike Ukmata, Granit Berisha, Muhamed Luta, Leonora Ibraj dhe Emir Hiseni.

Shtatë paditësit kishin paditur Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), duke kërkuar shfuqizimin e plotësim/ndryshimit të Rregullores mbi organizmin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në këtë institucion, duke pretenduar se akti i kontestuar është nxjerrë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të AAC-së, Burim Dinarama, që e ka tejkaluar afatin ligjor prej një viti në këtë pozitë, e që pastaj konsiderohet i paautorizuar për marrje të vendimeve me karakter normativ.

Në vendimin e Gjykatës Supreme, thuhet se pas shqyrtimit të Rregullores, Gjykata konstaton se dispozitat e saj bien ndesh me parimet themelore të së drejtës administrative, normat kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe me standarded ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Mes tjerash, në vendim përmendet pretendimi i paditësve në lidhje me paligjshmërinë e kësaj Rregulloreje.

“Paditësit theksojnë se Rregullorja AAC Nr.01/2025 është e paligjshme për vetë faktin se është miratuar nga një ushtrues i detyrës në kundërshtim me nenin 35 të Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarët publikë, përkatësisht në paragrafin 4 dhe 5 të tij. Sipas nenit 35, paragrafi 3, “Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtrues/e detyre më gjatë se gjashtë (6) muSaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”, paragrafi 4, “Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni. Ndërsa paragrafi 5. “Çdo vendim i marrë nga ushtruesi/a i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm”, thuhet në këtë vendim.

Lidhur me këtë, Supremja ka konstatuar se pretendimet e palës paditëse për tejkalim afati janë të bazuara në dispozitat eksplicite ligjore dhe kanë për qëllim mbrojtjen e legjitimitetit të aktit dhe sigurinë juridike në funksionimin e institucionit.

Më tej, thuhet se respektimi i kufizimeve kohore është thelbësor për funksionimin ligjor dhe transparent të institucioneve publike.

“Çdo shkelje e këtyre normave sjell pasoja negative në zbatimin e drejtë të ligjit dhe mund të krijojë precedentë të dëmshëm. Kështu, pretendimet e palës paditëse gjejnë mbështetje në parimet e ligjshmërisë dhe rendit kushtetues, të cilat i mbështet dhe i konstaton edhe gjykata”, thuhet tutje në vendim.

Lidhur me çështjet e ngritura përkitazi me konsultimet publike, vendimi thekson se mosrespektimi i detyrimit për konsultim publik bie ndesh me dispozitat ligjore dhe me parimet e transparencës dhe pjesëmarrjes publike në procesin e nxjerrjes së akteve që rregullojnë çështje me interes të palëve të interesuara/prekura.

Kështu, Gjykata Supreme ka konstatuar se Rregullorja është miratuar në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës, transparencës dhe pjesëmarrjes publike.

Ndryshe, paditësit Arianit Islami, Lendita Kika-Berisha, Besnike Ukmata, Granit Berisha, Muhamed Luta, Leonora Ibraj dhe Emir Hiseni, kanë paditur Autoritetin e Aviacionit Civil (AAC) për shfuqizimin e Rregullores për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Autoritetin e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës.

Paditësit kanë kërkuar që kjo Rregullore të deklarohet e paligjshme, ngase është në kundërshtim me Ligjin për Aviacionin Civil dhe atë për Zyrtarët Publikë, si dhe cenon apo do t’i cenojë në të ardhmen të drejtat dhe interesat e ligjshme të paditësve.

Aty thuhet se akti i kontestuar është i paligjshëm përderisa është marrë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm- Burim Dinarama, pozita e të cilit është duke u ushtruar përreth dy viteve me u.d. Edhe caktimi i grupit punues për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores, thuhet se u bë nga i njëjti person.

Sipas padisë, përmes këtij akti janë realizuar ndryshimet si: Formimi i një divizioni të administratës, është shuar pozita e zyrtarit të lartë për prokurim, është ndërruar titulli i pozitës nga zyrtare e lartë (ZL) për rregullim ekonomik të aviacionit dhe marrëdhënie me jashtë, në zyrtare të lartë (ZL) për rregullim ekonomik të aviacionit dhe zyrtarja certifikuese është avancuar në zyrtare të lartë certifikuese.

Gjithnjë sipas padisë, kjo Rregullore është nxjerrë pa konsultime publike, duke u mbajtur fshehtë nga pjesa më e madhe e stafit, përfshirë edhe palët paditëse dhe qasja në draft thuhet se u është mundësuar vetëm pas publikimit në Gazetën Zyrtare (ditën e miratimit), ku e kanë pranuar edhe në e-mail.

Andaj, shtatë paditësit kanë kërkuar nga Gjykata Supreme që të aprovohet padia e tyre si e bazuar dhe të shfuqizohet në tërësi Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores mbi organizimin e brendshëm dhe sistemimatizimin e vendeve të punës në Autoritetin e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, ashtu që të bëhet plotësimi dhe ndryshimi i saj në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, të obligohet e paditura AAC që brenda afatit ligjor të paguajë shpenzimet gjyqësore në lartësinë e cila krijohet deri në përfundim të çështjes në procedurë gjyqësore nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm. /BetimipërDrejtësi