Reagon Sveçla për vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan: Askush nuk është mbi ligjin
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan në rrethana të ende të paqarta.
“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan.
Si ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal”.
“Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë”.
“Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”.
“Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd, pasi besimi qytetar është jo vetëm vlerë, por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast”.