Reali po e blindon me kontratë të re Gonzalo Garcian, nuk do të lejohet largimi i tij
Gonzalo Garcia është zbulimi më i madh i Kupës së Botës për Klube, duke shënuar katër gola dhe duke dhuruar një asistim në pesë ndeshje.
Sipas Marcas, Real Madridi është i impresionuar nga paraqitjet e tij dhe po shqyrton mënyrat më të mira për ta shpërblyer me një kontratë të re.
Aktualisht, kontrata e Gonzalos është e vlefshme deri në vitin 2027, por klubi dëshiron t’ia rrisë pagën dhe të zgjatë marrëveshjen me të.
Kontrata e re pritet ta vendosë atë si lojtar të ekipit të parë, me kushte të përmirësuara dhe bonuse shtesë.
21-vjeçari po konsiderohet si një nga sulmuesit më premtues në Spanjë, dhe performanca e tij ka tërhequr interesimin e shumë klubeve evropiane.
Megjithatë, Real Madridi nuk ka ndërmend ta shesë dhe ka refuzuar disa oferta të rëndësishme për të.
Klubi e sheh Gonzalon si pjesë të rëndësishme të projektit të ardhshëm, duke ndërtuar një ekip të fortë me talente të reja.