Oda Ekonomike Amerikane ndanë çmimet vjetore për kompanitë kosovare
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi ceremoninë e Çmimeve të Partneritetit SHBA-Kosovë. I organizuar në prag të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, ngjarja mblodhi anëtarët e Odës Amerikane, partnerët dhe të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së për të dhënë mirënjohje për kompanitë që kanë luajtur një rol kyç në forcimin e lidhjeve tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
Në ceremoni mbajti fjalime kryesore e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Dymbëdhjetë kompani u njohën si kontribuesit kryesorë në tregtinë SHBA-Kosovë, duke përfshirë katër importuesë, LAB-OIL, Delfin L.T.D., IP-Kos dhe Meditech, të vlerësuar si importuesit kryesorë të mallrave amerikane në Kosovë, dhe katër eksportuesë kryesorë të mallrave të Kosovës në Shtetet e Bashkuara: Ventius International, KOSHI GROUP, Walone Fashion Group. Birra Peja, Stone Castle Winery dhe Frutex, u vlerësuan gjithashtu për eksportet e tyre në rritje në SHBA.
Nga Meditech, thanë se ky çmim është një dëshmi e angazhimit të pandërprerë për të sjellë produkte cilësore, të sigurta dhe inovative nga Shtetet e Bashkuara për pacientët, profesionistët shëndetësorë dhe institucionet e vendit tonë.
“Ky vlerësim na motivon të vazhdojmë me përkushtim edhe më të madh: për rritje, për cilësi dhe për kontribut në zhvillimin ekonomik e shëndetësor të Kosovës”, tha Arianit Jakupi, pas pranimit të çmimit.
Shkëlqesia e saj, Anu Prattipati theksoi partneritetin ekonomik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
"Le të riafirmojmë angazhimin tonë për të ndërtuar një të ardhme me sukses dhe mundësi të përbashkëta. Së bashku, mund të vazhdojmë të forcojmë lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, duke siguruar që marrëdhënia jonë ekonomike të mbetet gurthemel i miqësisë sonë", tha Prattipati.