Murati: Opozita bllokoi edhe integrimin e Kosovës në sistemin evropian të pagesave
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se partitë e tjera s’po e bllokojnë vetëm konstituimin e Kuvendit, por tha se ato e kanë bllokuar edhe integrimin e Kosovës në sistemin evropian të pagesave, i njohur si SEPA.
Ai ka shkruar në Facebook se dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i këtij ligji ia pamundësoi mërgatës dhe diasporës që rreth 50 milionë euro tarifa të kurseheshin çdo vit.
Ai pyeti “mos vallë edhe për këtë i ka fajet Albin Kurti”.
“Aktiviteti bllokues i opozitës nuk ka filluar vetëm tash me bllokimin e konstituimit të Kuvendit. Për shembull, opozita e ka bllokuar edhe integrimin e Kosovës në SEPA, duke dërguar në Gjykatë Kushtetuese ligjin për Shërbimet e Pagesave, ligj i cili është transpozim i direktivës së BE-së dhe njëkohësisht parakusht për integrim në SEPA. SEPA është sistemi evropian i pagesave që mundëson transferta ndërkombëtare të parave me kosto minimale. Rreth 50 milionë euro tarifa në vit do të kursenin bizneset dhe diaspora jonë, nëse do të anëtarësoheshim në SEPA. A mos vallë edhe për këtë i ka fajet Albin Kurti?”, ka shkruar ministri në detyrë i Financave.