Aksident i rëndë në Pejë, një i vdekur e dy të lënduar [video]
Një vetaksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në fshatin Treboviq të Pejës.
Policia ka konfirmuar se nga ky aksident një person ka vdekur, ndërsa dy të lënduarit janë dërguar në QKUK, transmeton Zeri.info.
“Fillimisht tre persona janë lënduar si pasojë e këtij vetaksidenti që ka ndodhur rreth orës 00:02, në fshatin Treboviq, e më pas njëri prej tyre nuk ka arritur t’u bëjë ballë lëndimeve dhe ka vdekur. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë në Pejë.
Gashi tha gjithashtu se, dy të lënduarit e tjerë fillimisht janë trajtuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal dhe më pas janë dërguar për në QKUK.
“Dyshohet se deri tek aksidenti ka ardhur pasi vetura ka humbur kontrollin dhe e ka goditur një muri në anën tjetër të rrugës”, theksoi ai, duke shtuar se hetimet lidhur me rastin po zhvillohen nga hetuesit e aksidenteve.
Mediat lokale kanë publikuar edhe pamje nga vendi se ku ka ndodhur ky vetaksident tragjik. /Zëri