Zyrtare: Mbrojtësi i talentuar italian Matteo Ruggeri transferohet te Atletico Madridi

Atletico Madrid ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit të majtë italian, Matteo Ruggeri, nga Atalanta.

Klubi spanjoll njoftoi se 22-vjeçari ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2030, duke u bërë përforcimi i radhës për repartin e mbrojtjes.

Ruggeri është produkt i akademisë së Atalantës, ku iu bashkua që në moshën nëntëvjeçare. Ai debutoi me ekipin e parë në vitin 2020, në një ndeshje të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit.

 

Pas një huazimi te Salernitana në sezonin 2021/22, ai u kthye dhe u bë pjesë kyçe e formacionit të Gian Piero Gasperinit.

Ruggeri zhvilloi 99 ndeshje në Serie A me Atalantën, duke dhënë 9 asistime. Ai gjithashtu ka nëntë paraqitje në Ligën e Kampionëve.

Në mars të vitit 2025, Ruggeri mori ftesën e parë për Kombëtaren e Italisë në çerekfinalen e Ligës së Kombeve ndaj Gjermanisë, por ende nuk ka debutuar në një ndeshje zyrtare me “Azzurrët”.

Atletico ka paguar rreth 20 milionë euro për kartonin e tij.