Prangosen dy persona në Mitrovicë, policia sekuestron armë e afër 200 fishekë

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Mitrovicë janë arrestuar dy persona, për armëmbajtje pa leje, si dhe për përdorim të armëve.

Sipas njoftimit të Policisë, të njëjtët janë përfshirë në një rrahje që ka ndodhur ne rrugën “Nystret Musa”, raporton Zeri.info.

"Janë sekuestruar; një (1) pushkë gjuetie me 10 fishekë; Një (1) pistoletë me 20 fishekë; Një (1) armë AK 47 me 26 fishekë; Një (1) kafkë të pistoletës dhe njëqindenëntëdhjetë (190) fishek të kalibrave të ndryshëm", thuhet në njoftimin e PK-së.

Njoftimi i plotë:

Arrestohen dy persona për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armëve

Mitrovicë, 1 korrik 2025

Rreth orës 20:00 të datës 30 qershor 2025, njësitet policore në kuadër të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë pas pranimit të informatës për rrahje dhe shtëna me armë, me urgjencë kanë reaguar, me ç’ rast kanë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar, pasi të njëjtët ishin përfshirë në një rrahje e ndodhur në rrugën “Nystret Musa” në zonën banuese në Tunelin e Parë.

Në cilësi të provave materiale te të dyshuarit ne posedim dhe gjatë bastisjes ne shtëpitë e tyre janë gjetur dhe sekuestruar:

– Një (1) pushkë gjuetie me 10 fishekë

– Një (1) pistoletë me 20 fishekë

-Një (1) armë AK 47 me 26 fishekë

-Një (1) kafkë të pistoletës dhe

- Njëqindenëntëdhjetë (190) fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Pas intervistimit dhe veprimeve të tjera procedurale, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprat penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorim i armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa me aktvendim të prokurorit, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.