Arrestohet 21-vjeçari që sulmoi zyrtarët policorë në Kaçanik

Mbrëmë rreth orës 23:00, në rrugën "Vëllezërit Çaka" në Kaçanik, ka ndodhur një rast i sulmit ndaj personave zyrtarë.

Policia ka njoftuar se menjëherë policët e rendit dhe hetuesit rajonalë kanë reaguar ndaj thirrjes dhe pas intervistimit të viktimave dhe dëshmitarëve, është kuptuar se derisa policët në detyrë, gjatë tentativës për arrestimin e një personi të dyshuar, janë sulmuar nga ky i fundit.

I dyshuari gjatë rezistencës ka goditur zyrtarët policorë me shqelma në pjesën e këmbëve.

“I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik dhe pas intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, ka pranuar veprën penale për të cilën ngarkohet. Po ashtu, ai ka pranuar se posedonte dy thika që janë gjetur në veturën e tij”.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar hetuesit rajonalë të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore dhe ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit B.M., 21 vjeç, për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri