Aktakuzë në mungesë ndaj dy serbëve për krime lufte, dyshohet se vranë dy civilë e torturuan të tjerë në Kaçanik
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy personave me inicialet J.J. dhe V.T., të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
Sipas aktakuzës, krimet kanë ndodhur gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Kaçanik i Vjetër, në komunën e Kaçanikut.
J.J. dhe V.T. në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, akuzohen se kanë vrarë dy civilë shqiptarë, R.E. dhe M.H.
Gjithashtu, ata dyshohet se kanë kryer edhe rrahje, tortura fizike dhe psikologjike, si dhe kanë plaçkitur pasurinë e luajtshme të viktimave dhe të dëmtuarit Sh.D.
“Të pandehurit J.J. dhe V.T. akuzohen për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Kaçanik i Vjetër, në komunën e Kaçanikut. Sipas aktakuzës, të pandehurit në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë kryer vrasjen e dy viktimave R.E. dhe M.H. Hetimet vërtetuan se gjatë kësaj periudhe J.J. dhe V.T. kanë rrahur, kanë shkaktuar maltretime fizike dhe psikike dhe kanë plaçkitur pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit Sh.D. dhe viktimave, tani të ndjerëve M.H. dhe R.E.”, thuhet në njoftim.
Prokuroria njofton se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që procesi gjyqësor të zhvillohet në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
“Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për të vënë para përgjegjësisë kryesit e këtyre veprave penale, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Aktakuza është ngritur në bazë të Nenit 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së, i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së krimeve.