Kikboksieri i njohur dënohet me burg, i përfshirë në skemën kriminale të një trajneri futbolli

Kikboksieri i njohur Jamal Ben Saddik është dënuar nga një gjykatë në Antverp me 40 muaj burg – gjysma me kusht – për përfshirje në një skemë të pastrimit të mbi 1.2 milion eurove përmes kontratave të falsifikuara dhe transaksioneve mashtruese.

Ai dhe vëllai i tij, Said, ishin pjesë e një rrjeti të drejtuar nga biznesmeni Karim S. në Holandë, i dënuar më parë për pastrim të 2.5 milionë eurove.

Hetimet zbuluan se Jamal, Said dhe i pandehuri tjetër Emad N. kishin përfituar nga fondet e paligjshme, dhe gjatë bastisjeve, policia gjeti rreth 508,000 euro në para të gatshme dhe dokumente të falsifikuara. Ata u dënuan gjithashtu me gjoba dhe iu ndalua drejtimi i bizneseve.

Ben Saddik është i njohur për autoritetet belge, pasi më parë ka qenë nën hetim për vepra të tjera penale, përfshirë dhunë fizike dhe lidhje të dyshuara me trafik droge. Në vitin 2024, ai u arrestua për një rast të dyshuar rrëmbimi dhe dhune, por u lirua me kusht.

Në total, autoritetet sekuestruan 1.23 milion euro. Gjykata dënoi Jamal Ben Saddik me një gjobë prej 40 mijë euro, ndërsa Said u gjobit me 24 mijë dhe Emad N. me 16 mijë euro.

Megjithë çështjet ligjore, Ben Saddik mbetet një emër i madh në kikboks. Ai ka një karrierë të gjatë në organizatën Glory dhe një rekord të fortë me 38 fitore, përfshirë fitoren ndaj Ric Verhoeven në vitin 2011, një nga momentet kulmore të karrierës së tij. /Telegrafi