Zyrtare: Hamza Muqaj transferohet te Holstein Kiel
Talenti i ri i mesfushës, Hamza Muqaj, është lojtari më i fundit që i bashkohet klubit gjerman Holstein Kiel.
19-vjeçari kosovar transferohet nga FC Carl Zeiss Jena dhe ka nënshkruar kontratë afatgjatë deri më 30 qershor 2028.
Muqaj, i rritur në akademitë e futbollit në Berlin, bëri kalimin te Jena U19 në verën e vitit 2023 nga FC Hertha 03 Zehlendorf. Në sezonin e fundit ai regjistroi 26 paraqitje në Regionalliga Nordost, duke bërë debutimin edhe me ekipin e parë.
Drejtori sportiv i Holstein Kiel, Olaf Rebbe, vlerësoi karakteristikat e tij si një mesfushor modern: “Hamza është një lojtar i fuqishëm dhe dinamik që mund të luajë në disa role në mesfushën qendrore. Ka cilësi mbrojtëse, është vrapues i fortë dhe paraqet rrezik në zonën kundërshtare. Fillimisht do të jetë pjesë e stërvitjeve me ekipin e parë dhe do të luajë me skuadrën U23 për të fituar përvojë”.
Wir freuen uns ebenfalls auf dich, Hamza ë
— Holstein Kiel (@Holstein_Kiel) June 26, 2025
_#KielAhoi pic.twitter.com/ja0CrHJNEv
Mesfushori që është pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës, ku luajti edhe me bashkëlojtarin e tij të ri Leon Parduzi, u shpreh entuziast për këtë hap në karrierë: “E di që kalimi në Kiel është një hap i madh, por besoj se Holstein është vendi i duhur për zhvillimin tim. Jam shumë i motivuar të filloj”.
Ky transferim shihet si pjesë e strategjisë së Kiel për të ndërtuar një bërthamë të re të lojtarëve të rinj dhe premtues për të ardhmen. /Telegrafi