Grupi i Hasit shpallet më i miri i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Burimore
Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore Burimore ka mbyllur edicionin e 13-të në qytetin e Lushnjës.
Juria profesioniste shpalli fituesit. Ishte Hasi që triumfoi në Lushnjë, duke u shpallur si grupi më i mirë i Festivalit Folklorik Tipologjik.
Për dy net me radhë, në sheshin qendror të Lushnjës, 16 grupe artistike nga zona të ndryshme të vendit sollën për publikun motive autentike të valles tradicionale shqiptare. Në natën finale, pas përfundimit të konkurrimit, në skenë u ngjit edhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore, duke përshëndetur me një interpretim të veçantë këtë edicion të festivalit.
Atmosfera festive dhe duartrokitjet e artdashësve lushnjarë shoqëruan çdo performance, duke e kthyer këtë aktivitet në një ngjarje të rëndësishme për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore kombëtare./atsh