Sektori privat i kërkon Qeverisë subvencionim të energjisë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), së bashku me përfaqësuesit e tjerë të sektorit privat, i janë drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në lidhje me zhvillimet e fundit globale që parashikojnë rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke kërkuar nga ky i fundit që të përkrah bizneset përmes subvencioneve.

Përmes një komunikate, OEK-u ka bërë të ditur se, përveç subvencionimit të sektorit privat, theksohet edhe kërkesa që ZRRE-ja të anulojë vendimin për daljen në tregun e lirë të energjisë.

Më gjerësisht, në letrën e OEK-ut thuhet se rritja e çmimeve e cila mund të kombinohet edhe me tregun e lirë, do të ishte goditje e rëndë për ekonominë e vendit.

“Një rritje e tillë e çmimeve, e kombinuar me kalimin në tregun e lire pa një përgatitje të duhur dhe pa mekanizma mbrojtës, do te ishte një goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës. Bizneset, veçanërisht ato në sektorët e prodhimit dhe transportit, do tê përballen me kosto shtesë të papërballueshme, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e tyre dhe duke shkaktuar humbje te vendeve të punës. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në shkëputjen e zinxhirit furnizues dhe në ngritjen e çmimeve te produkteve dhe shërbimeve, duke dëmtuar rëndë fuqinë blerëse të qytetarëve”, thuhet mes të tjerash në letër.

Tutje, në letër theksohet edhe konflikti në Lindjen e Mesme, ku thuhet se nga informatat nga bizneset tregojnë se ky konflikt ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa në ditët në vijim pritet një rritje e çmimit të energjisë elektrike bashke me këtë edhe një rritje e inflacionit.

“Situata tashmë e ndërlikuar po rëndohet me tej nga konflikti ne Lindjen e Mesme, veçanërisht me ndërhyrjen e fundit të Shteteve të Bashkuara. Informatat nga bizneset tregojnë se ky konflikt ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës ne tregjet ndërkombëtare, ditëve në vijim pritet një rritje e çmimit të energjisë elektrike bashke me këtë edhe një rritje e inflacionit dhe kjo do të jetë një barrë shtesë për bizneset kosovare, përveç asaj të energjisë elektrike, të cilën e kishin deri më sot”, shtohet në letrën drejtuar Kurtit.