Njësia A5 e termocentralit “Kosova A” rikthehet në operim
Njësia A5 e termocentralit “Kosova A” është rikthyer sot në operim, pas një serie ndërhyrjesh teknike të planifikuara me sukses.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK SHA) njofton se njësia është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit.
Punimet përfshinë sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse dhe ekonomajzer (ngrohës i ujit) dhe në ekranet e kaldajës, pastrimin me pompë të ftohësve të hidrogjenit, mirëmbajtje në pajisjet e sistemit MRRK dhe pastrimin e kuotave rreth kaldajës për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit.
Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, falënderoi ekipet teknike.
“Edhe ky rast tregon përgjegjësinë që bartin punonjësit e KEK-ut, të cilët, edhe në ditë pushimi, nuk kursejnë as përpjekjet e as profesionalizmin për të mbështetur sistemin energjetik të vendit. Ju falënderoj për angazhimin dhe jam krenar për punën që keni bërë!”, thuhet në njoftimin për media të dërguar nga KEK-u.
KEK-u ka sqaruar se gjatë startimit, që zgjat 3-4 orë, mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve, për shkak të procesit teknologjik të djegies që fillon me naftë dhe pastaj kalon në linjit.
Sipas njoftimit, “kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit”.
Në fotografitë e bashkëngjitura, vihet re se njësia është tashmë e stabilizuar dhe tymi është zhdukur, duke konfirmuar përfundimin e suksesshëm të fazës së startimit.
KEK-u siguron qytetarët se proceset kryhen me kujdes të shtuar dhe mbikëqyrje të vazhdueshme, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe siguri teknike.