Zyrtare: Lorik Boshnjaku transferohet te Gjilani

Gjilani ka zyrtarizuar përforcimin e radhës në afatin kalimtar veror, duke angazhuar mesfushorin e njohur kosovar, Lorik Boshnjaku.

Mesfushori nga Prishtina ka nënshkruar kontratë me klubin “kuqebardh”, e cila do ta mbajë të lidhur me Gjilanin deri në verën e vitit 2027.

Boshnjaku vjen pas një karriere të pasur në futbollin vendor, ku ka qenë pjesë e klubeve me peshë si FC Prishtina dhe Vllaznia e Shkodrës, duke fituar tituj të rëndësishëm dhe duke dëshmuar vazhdimisht nivel të lartë. Sezonin e fundit ai e mbylli te Suhareka.

Futbollisti do t’i bashkohet skuadrës në fazën përgatitore që nis më 1 korrik, ku do të ketë mundësinë të integrohet në grup dhe të nisë punën për sezonin e ri.

Drejtori i përgjithshëm i klubit, Syart Rrahmani, ka mirëpritur Boshnjakun në Gjilan, duke i uruar sukses dhe një kontribut të rëndësishëm për objektivat e skuadrës në edicionin e ri.

Ky transferim shënon një tjetër hap të rëndësishëm në konsolidimin e skuadrës, ndërsa Gjilani synon një paraqitje sa më dinjitoze në të gjitha garat ku do të marrë pjesë.