Në Prishtinë sot dhe nesër mbahet Konferenca Ndërkombëtare për Digjitalizim
Në Prishtinë filloi Konferenca Ndërkombëtare për Digjitalizim, që do të zgjasë edhe nesër.
Në kuadër të kësaj konference do të mbahen edhe panele diskutimi, performanca artistike dhe promovime librash.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kryeqyteti po ecën përpara me hapa të shpejtë në aspektin e digjitalizimit, duke theksuar se kanë krijuar infrastrukturën e nevojshme digjitale në gjithë kryeqytetin.
“Kemi krijuar infrastrukturën e nevojshme për platformën ‘Smart City’ ose ‘Qyteti i Mençur’, ku i kemi ndërlidhur pjesë të shumta të kryeqytetit me sensorë, përmes të cilëve monitorojmë aspekte të ndryshme si trafikun, mbeturinat, madje edhe kapakët e pusetave, pasi ka pasur raste të vjedhjes së tyre. Tani ato janë të pajisura me sensorë dhe kur lëvizin, ne e dimë. Kjo krijon një siguri shtesë për qytetarët e kryeqytetit. Po ashtu, kemi edhe sensorë të tjerë që janë të ndërlidhur me klasat në shkollat tona, për të monitoruar cilësinë e ajrit”, tha Rama.
Këto shërbime kryeqyteti i prezanton në Konferencën dyditore për digjitalizim, ku po marrin pjesë ekspertë nga fusha të ndryshme si urbanizmi, arkitektura, politikat mjedisore dhe teknologjia, të cilët ndanë njohuritë dhe përvojat e tyre.