Kryengritja shqiptare më 1257
Historiani Gjergj Akropoliti [George Acropolites, 1217–1282] ishte mësuesi i Perandorit Teodor II Laskari (i cili sundoi nga viti 1254 deri në 1258), dhe më vonë u bë rektor i universitetit në Kostandinopojë. Vepra e tij, Kronikë, që përshkruan historinë e Perandorisë së Nikesë, bazohet në masë të madhe në informacione të dorës së parë dhe vëzhgime personale, ndërsa mbulon ngjarjet nga viti 1203 deri më 1261.
Perandori,[2] pra, u nis për në Lindje dhe unë mbeta në pjesën perëndimore të Perandorisë. Pasi u nisa nga Selaniku, arrita në Berrhoia (Veria). Atje më prisnin emisarët e Papës, të cilët, sipas urdhrit të perandorit, duhej t’i dërgoja sërish në vendin e tyre. Qëndrova aty për një kohë të shkurtër për të kryer këtë detyrë dhe për të zgjidhur disa çështje të tjera dhe, më pas, duke lënë atë qytet, u nisa drejt Albanisë [Shqipërisë]. Duke kaluar përmes Serbisë, Kastorisë dhe rajonit të Ahridës (Ohrit), arrita në Albani, dhe prej andej mbërrita në Dyrrahion (Durrës) së bashku me parinë e atij vendi. Qëndrova atje për tetë ditë dhe më pas u nisa, pasi dhashë urdhra, sipas gjykimit tim, dhe bëra të gjitha përgatitjet e nevojshme për udhëtimin, përfshirë edhe urdhra për vetë qytetin e Durrësit. Më pas lashë Durrësin dhe, duke kaluar përmes Çunavisë, kalova vargmalin e njohur si ‘Kake Petra’ për të arritur në Mate (Mat) dhe prej andej në Debre (Dibër). Takova të gjithë zyrtarët që më dolën përpara në rrugë: regjentë qytetesh, udhëheqës të kampeve ushtarake vendore dhe zyrtarë të administratës shtetërore. Prej andej arrita në Prilep përmes Kicabisit.[3] Udhëtimin nga Selaniku në Prilep e përshkova për tre muaj gjatë dimrit. Ishte dhjetor kur u nisa nga Berrhoia dhe fundi i shkurtit kur mbërrita në Prilep.
Pas mbërritjes sime atje, mora lajmin për një ngjarje tejet shqetësuese, për shembull si në vazhdim: Konstandin Kabaroni, të cilit perandori i kishte besuar komandën më të lartë ushtarake në Shqipëri, ishte zënë nga rob Despoti Mihal dhe kjo, për shkak të intrigave të Marisë, motrës së gruas së tij, e cila kishte qenë martuar me njëfarë Sfrancesi dhe tashmë ishte e ve. Me dredhitë e saj femërore, ajo e lidhi Kabaronin pas vetes dhe e joshte me letra dashurie. Ai ishte tepër i ndjeshëm ndaj këtyre gjërave, megjithëse përndryshe ishte një ushtar i mirë. Tani ai kishte rënë në grackën e asaj gruaje. Për pasojë, Mihali e shpalli haptazi dezertimin. Mora lajmin për këtë zhvillim dramatik teksa ndodhesha në Prilep. I tronditur, i dërgova një letër Mihal Laskarit, ku i shpjegova gjithë situatën dhe i bëra me dije se rebelët po i afroheshin në Pelagonisë. Gjithashtu i kërkova të vinte sa më shpejt që të ishte e mundur, që të bashkonim forcat dhe të vendosnim për një veprim të përbashkët. U takuam kështu në Pelagoni, së bashku me Skuterio Ksilenë, të cilin e konsideronim si një ushtar të mirë dhe të përkushtuar ndaj Bizantit. Edhe perandori Teodor kishte mendim të lartë për të, pasi ai kishte shumë përvojë ushtarake. Ai gëzonte mbështetjen e perandorit jo vetëm për cilësitë personale, por edhe për qëndrimin e tij pozitiv ndaj sundimit bizantin. Në takimin tonë vendosëm si vijon: Mihal Laskari do të nisej nga Berrhoia, ku kishte ngritur kampin, duke marrë me vete gjithë ushtrinë e vet, si forcat bizantine, ashtu edhe ato skitiane,[4] dhe do të marshonte drejt Pelagonisë, ku do t’i përgatiste forcat për betejë. Po ashtu, Skuterio Ksilea do të grumbullonte të gjithë trupat e veta, që ishin edhe më të shumtë, dhe do të bashkohej me Mihal Laskarin. Ata do të zhvillonin betejën së bashku në rajonin e Pelagonisë. Ky vend ishte i përshtatshëm jo vetëm për betejën kundër Despotit Mihal, por edhe për t’u përballur me serbët, të cilët, siç mësuam, kishin premtuar mbështetje ushtarake për Mihalin.
Kur të dy premtuan se do të zbatonin vendimet tona, i lashë dhe u nisa me ngut drejt Ohrit, së bashku me shoqëruesit e mi, për të parë nëse do të mundesha të vendosja sërish rregull në situatën në Shqipëri. Vendosa të dërgoj në Shqipëri kryeshërbëtorin perandorak, Isak Nestongun, dhe i dhashë urdhrat e zakonshëm që të merrte komandën më të lartë ushtarake. E dija mirë se mund të merrja vendime të tilla pa rrezik të vogël, domethënë, se mund të zëvendësoja sipas dëshirës të gjithë nëpunësit krahinorë të taksave dhe administratës, komandantët ushtarakë apo autoritetet vendore.
Vendosa më pas të nisesha vetë për në Shqipëri, për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parë me sytë e mi se çfarë kishte arritur të bënte kryeshërbëtori. Por, në largimin tim nga Shqipëria, mora me vete kryeshërbëtorin dhe të gjitha forcat, sepse populli shqiptar kishte vepruar para kohe dhe tashmë kishte kryer kryengritjen. Të gjithë kishin kaluar në anën e Despotit Mihal, i cili ishte bërë renegat. Meqë e shihja me sytë e mi se gjithçka ishte në kaos, lashë Dibrën, ku kisha qëndruar më gjatë sesa duhej dhe ku armiku na kishte rrethuar dhe, së bashku me disa nga shoqëruesit e mi, e mora Ohrin me forcë. Në Ohër lashë kryeshërbëtorin për të ruajtur kështjellën dhe unë marshova përmes Prespës dhe një vendi të quajtur Siderokastron, për të arritur në Prilep. Aty, pata ndjesinë se kisha mbërritur në një strehë të sigurt.