Përmbyllet Edicioni i 25-të i Panairit të Librit “Prishtina 2025”
Sot është përmbyllur me sukses edicioni i 25-të i Panairit të Librit “Prishtina 2025”, i mbajtur në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Gjatë pesë ditëve, panairi mblodhi botues, autorë dhe lexues nga mbarë trevat shqiptare.
Mihane Goga-Bekteshi nga stenda e Shtëpisë Botuese “Dituria Islame” solli mbi 80 tituj, mes tyre 15 të rinj, me interes të veçantë për librat që trajtojnë jetën e Profetit Muhamed a.s.
“Çmimet kanë qenë modeste dhe interesi i lexuesve shumë i mirë”, u shpreh përfaqësuesja e botuesit.
“Interesimi është mjaft i mirë, falënderoj të gjithë lexuesit që na kanë zgjedhur neve për t’u pajisur me librat që kanë nevojë. Jemi munduar të sjellim 80 tituj, në mesin e tyre mbi 15 tituj janë të ri që gjithmonë nxisin lexuesit dhe e bëjnë gjithmonë të bukur atmosferën në panair. Të rinjtë janë më të interesuar për historinë e Muhamedit a.s, kemi tituj interesant se si e shpjegon jetën e tij. Është libri më i kërkuar dhe më i shitur. Ne çmimet i kemi shumë modeste, i kemi sikurse në panair edhe në librari, janë të arsyeshme për popullatën dhe nuk e kemi atë dilemë të çmimit. Jam e kënaqur si përfaqësuese për shkak se popullata në Kosovë janë mbi 90 përqind myslimanë,” shtoi ajo.
Ndërkohë, një autor nga Shqipëria, me mbi 40 vite krijimtari dhe 42 libra të botuar, theksoi nevojën për më shumë promovim të letërsisë shqipe, duke shprehur shqetësim për rënien e interesimit të publikut.
“Kam krijimtari mbi 40-vjeçare, kam një gamë librash, 42 libra. Unë loboj letërsinë për të rritur. Është viti i 10 që vij në Prishtinë, është kënaqësi e madhe të vij të prezantohem me librat. Nga viti në vit trendi po vjen duke rënë, nuk e di se kush po ndikon, politikat, rrjetet sociale, duhet parë me ata që merren. Njerëzit largohen nga letërsia shqipe dhe fokusohen tek letërsia e huaj. Duhet bërë një punë shumë e madhe që të promovohen dhe autorët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë,” shtoi ai për EO.
Panairi u zhvillua nga e mërkura deri të dielën, duke sjellë një atmosferë të gjallë letrare në kryeqytetin e Kosovës.